Mustafa merr meritat për tërheqjen e Z-Mobile nga dëmshpërblimi

Mustafa merr meritat për tërheqjen e Z-Mobile nga dëmshpërblimi

 

Kryeministri në largim Isa Mustafa ka thënë se vendosmëria e tij për të mos paguar “me taksa të qytetarëve” gjobën e shqiptuar nga Gjykata e Arbitrazhit ka rezultuar me tërheqjen e kompanisë Z-Mobile nga mundësia që të përfitojë nga dëmshpërblimi.

“Tërheqja e sotme nga kërkesa për shlyerjen e borxhit, është edhe një dëshmi shtesë se marrëveshja mes Telekomit, ish-PTK me Z-Mobile ka qenë e kundërligjshme dhe e dëmshme për Telekomin e Kosovës dhe për pasurinë nacionale të Kosovës. Po ashtu, është dëshmi tjetër se edhe prapa kontestit gjyqësor në Gjykatën e Arbitrazhit ka qëndruar një skemë e organizuar për zhvatjen e pasurisë nacionale të Kosovës”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e tij në Facebook.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbrojtje të interesave të taksapaguesve kosovarë, punonjësve të Telekomit të Kosovës dhe pasurisë nacionale të Kosovës, ua bën të qartë nënshkruesve të kontratës, zbatuesve dhe mos-zbatuesve të saj si dhe strukturave që kanë qëndruar prapa këtij procesi zhvatës për vite të tëra, se asnjë aranzhim i ri nuk do të mund t’i shpëtojë nga përgjegjësia për dëmin që i kanë shkaktuar Telekomit”.

“Çfarëdo aranzhimi i ri për të mbuluar këtë skandal të madh, nuk do të mund të amnistojë autorët e kësaj skeme mashtrimi”, ka shkruar Mustafa./Insajderi.com