Mustafa kujton sulmet e NATO-s dhe partneritetin e përhershëm me SHBA-në

Mustafa kujton sulmet e NATO-s dhe partneritetin e përhershëm me SHBA-në

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në 18 vjetorin e sulmeve të NATO-s ndaj caqeve serbe ka shprehur mirënjohje Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha vendet e tjera të NATO-s që ndihmuan Kosovën në kohë të vështira.

Mustafa përmes një postimi në Facebook, ka thënë se këto sulme përshpejtuan hapat dhe udhën e pavarësisë dhe demokracisë së Kosovës.

“Nisja e kampanjës ajrore të Aleancës Veriatlantike më 24 mars 1999, është ditë historike për Kosovën, për NATO-n por edhe për konceptin modern të lirisë dhe domosdoshmërisë së mbrojtjes së saj nga regjimet kriminale. Këto sulme, përshpejtuan çlirimin e Kosovës dhe i hapën udhë pavarësisë dhe demokracisë në vendin tonë”, ka shkruar Mustafa.

“Ne sot i shprehim mirënjohjen tonë të përjetshme Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar dhe të gjitha vendeve të tjera të NATO-s, të cilat na u gjenden pranë në momentet më të vështira. Partneriteti strategjik dhe koordinimi në çdo hap i joni me SHBA-të dhe miqtë euroatlantikë, ashtu si 18 vjet më parë, janë formula e suksesit tonë të përbashkët në të ardhmen”, ka shkruar Mustafa./Insajderi.com