Mustafa kërkon nga VV e AAK të tregojnë kush ua financon molotovin

Mustafa kërkon nga VV e AAK të tregojnë kush ua financon molotovin

Kryeministri Isa Mustafa ka përkrahur kërkesën që pasqyrat financiare të subjekteve politike të bëhen transparente, duke thënë se si kryetar i LDK-së, ka kërkuar nga zyrtarët e kësaj partie që këto të dhëna të bëhen publike.

Duke komentuar faktin se dy partitë opozitare , Vetëvendosje e AAK, tashmë kanë bërë publike këto të dhëna, ai ka thënë se ato duhet të tregojnë se kush ua financon gazin lotsjellës e shihet e molotovit.

“Shpresoj se edhe subjektet të cilat po lavdërohen se i kanë bërë publike pasqyrat e tyre financiare do të pasqyrojnë se me cilat para dhe nga cilat burime është financuar gazi lotsjellës, shishet e molotovit, sferat e qelqit, mekanizmat për rrotullimin e automjeteve, protestat e dhunshme… Burimet e financimit të subjekteve politike dhe shpenzimet e tyre duhet të jenë transparente”, ka thënë Mustafa.

Ai është zotuar se partia e tij do të aktivizojë një ueb faqe ku do të prezantohet “cdo cent” i shpenzuar nga partia.

AAK dhe Vetëvendosje kanë hedhur në një numër rastesh gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës gjatë kundërshtimit të tyre të marrëveshjes së demarkacionit.