Mustafa-Haradinajt: Institucionet do të duhej të formoheshin më heret jo për 10 ditë

Mustafa-Haradinajt: Institucionet do të duhej të formoheshin më heret jo për 10 ditë

Kryeministri në detyrë Isa Mustafa ka komentuar deklaratat e kandidatit për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, që Qeveria do të formohet brenda 10 ditësh, raporton Ekonomia Online.

Sipas Mustafës, institucionet do të duheshin që të themelohen edhe më herët.

“Në Kuvend duhet të zbatohen procedurat ashtu siç janë zbatuar gjithmonë dhe s’kemi arsye që të bëjmë kapërcime. Nëse Ramushi flet për 10 ditë unë nuk kam arsye që të flas për dhjetë ditë tjera. Unë kam arsye që të them që institucionet të bëhen sa më shpejt, por që të respektohen të gjitha procedurat ligjore edhe kushtetuese përndryshe nuk mund të operoj të them në mënyrë hipotetike me ditë”.

“Është dashur që të themelohen edhe më herët jo për dhjetë ditë, është dashur të themelohen këto institucione, duhet që çdo njeri ta bëjë punën e vet, a ka vota as ka vota pastaj do të shihet në Kuvend”, tha Mustafa, i pyetur pas mbledhjes së Qeverisë.

Mustafa ka thënë se nuk ka asnjë dyshim  që kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, do të lë koalicionin LAA.  Ai beson që Pacolli do t’i përmbahet marrëveshjes.

“Besoj që z.Pacolli i përmbahet marrëveshjes që kemi arritur”, u shpreh Mustafa.

Të mërkurën kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka shprehur gatishmëri që të mos bëhet pengesë për daljen e Kosovës nga kriza politike.

Ai përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se partia e tij, interesin e Kosovës dhe të qytetarëve e kanë në rend të parë, duke bërë thirrje që të mos vazhdohet me bllokim sidomos nga LDK-ja dhe VV-ja.

Pacolli, madje u përmendi këtyre partive edhe afatin prej 10 ditësh për krijimin e institucioneve.