Mustafa: Haradinaj duhet të bashkëpunojë me VV-në për formimin e Qeverisë

Sipas gazetarit Artan Mustafa, opsioni më i mirë për krijimin e qeverisë së re është bashkëpunimi VV-AAK-Nisma

Mustafa: Haradinaj duhet të bashkëpunojë me VV-në për formimin e Qeverisë

Gazetari dhe njohësi i çështjeve politike, Artan Mustafa, ka thënë se qytetarët e Kosovës kanë ndëshkuar Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, pasi e kanë kuptuar se gjendja e përgjithshme e vendit po përkeqësohej nën drejtimin e tyre.

Mustafa, që është ligjërues në Universitetin e Vjenës dhe kërkues në fushën e politikave sociale, ka thënë në një intervistë për Insajderin se i nominuari i PAN-it për kryeministër, Ramush Haradinaj, e ka rastin që të rrisë kredibilitetin e tij nëse bashkohet me Vetëvendosjes për formimin e qeverisë.

“Haradinaj e ka edhe një shans ta rris kredibilitetin e tij duke punuar në një qeveri të re me VV-në e cila ka programin e duhur. Debakli i PDK-së në zgjedhje e bën ruajtjen e fjalës nga ana e Haradinajt një qëndrim tërësisht religjioz dhe të paarsyeshëm. Do të ishte më mirë t’ia mbajë fjalën votuesit dhe publikut”, ka thënë Mustafa

Intervista e plotë:

Insajderi: Kush duhet ta formojë qeverinë dhe si?

Mustafa: Votuesi shqiptar në zgjedhjet e 11 qershorit mbështeti në masë të madhe Vetëvendosjen (VV), Aleancën për Ardhmërinë e Kosovë (AAK), dhe inicitivën Nisma. Qeveria e re më lëgjitime në raport me marrëdhëniet ndërkombëtare dhe dinamikat e reja sociale, do të ishte pikërisht një qeveri e krijuar prej këtyre partive dhe e drejtuar nga VV-ja. Presioni i shteteve të Quint-it dhe fakti që PDK-ja do të mbajë postin e Kryeparlamentarit dhe Presidentit, do e vështirësojnë punën e qeverisë, por vështirësia në këtë rast do të mund tëkthehej në përparësi qeverisëse.

Insajderi: Kush i ka humbur zgjedhjet sipas juve?

Mustafa: Zgjedhjet i ka humbur klani i ish-socialistëve vetëqeverisës dhe 3-Përqindëshit të Isa Mustafës në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe klani i SHIK-ut të Kadri Veselit në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK). Përderisa Vetëvendosja ka arritur këto vite të profilizohet dhe ndërtojë koalicione me shtresa të ndryshme shoqërore, grupet e Isa Mustafës dhe Kadri Veselit në partitë e mëdha e reduktuan kuptimin e politikës në interesa tejet të ngushta dhe dëshmuan para elektoratit se nuk mund dhe nuk janë të interesuar për ndryshime të mëdha sociale. Përderisa LDK-ja ka dhënë sinjale se do të reflektojë, gjendja në PDK duket më e keqe. Kryetari i saj është një njeri me aftësi të vogla politike që ka humbur koalicionet kryesore të PDK-së (LPK-në, shumë nga ish të burgosurit politikë, shumë mbështetës nga shoqëria civile) dhe me pikëpamje të paqartë ideologjike e programore. Ai është përgjegjës për AAK-izimin e PDK-së, që do të thotë: klanizimin e saj përreth strukturës së ish SHIK-ut dhe zovogëlimin e saj sikur ka qenë dikur AAK. Pa zgjedhje të hapura, domethënë direkte (popullore) ku mundësia e kandidimit do të ishte më e madhe, këto dy parti – PDK e LDK- do të shuhen në tërësi nga dalja e partive të reja. Baza elektorale e LDK-së dhe PDK-së nuk voton këto dy grupe të ndërlidhura me ngritje dhe pasurim të dyshimtë.

Insajderi: A i ndëshkoi elektorati dy partitë kryesore kësaj radhe?

Mustafa: Në këto zgjedhje, votuesi e pa se gjendja e përgjithshme e Kosovës me PDK-në dhe LDK-në po keqësohej. Kosova është bërë vendi më i pabarabartë në tërë Europën, që është gjendje e krahasueshme vetëm me të kaluarën e saj gjatë socializmit vetëqeverisës. Rritja e varfërisë në rajone të caktuara dhe brenda popullësisë rurale është shokuese dhe arsyeja kryesore prapa emigracionit dhe përparimit të vogël demokratik. Prandaj, mbështetja e VV-së lidhet direkt me këto dinamika. Për shembull, ajo mori përqindjen më të lartë të votave në rajonin më të varfëruar, në Gjilan. Nuk mund të mohohen as arritjet e Vetëvendosjes siç janë ndërtimi i koalicioneve shoqërore dhe profilizimi i qartë në parti social-demokrate. Për ta kurorëzuar, VV-ja pati një fushatë të shkëlqyeshme zgjedhore të prirë nga Ablin Kurti i cili si kandidat për kryeministër dha mesazhe: të gjithpërfshirjes sociale, të përgjegjësisë në marrëdhëniet me jashtë, dhe të një ideje të qartë zhvillimore.

Insajderi: A është kjo mundësia e fundit e Ramush Haradinajt për tu bërë kryeministër?

Mustafa: Fiksimi i Ramush Haradinajt për pozitën e Kryeministrit është grotesk. Nuk është problemi te vendimet e mëdha, por te idetë e mëdha dhe programi politik. Secili njeri në pozitën e Kryeministrit, me buxhet disa miliarda nën menaxhim, mund të bëhet ‘i fortë’. Haradinaj e ka edhe një shans ta rris kredibilitetin e tij duke punuar në një qeveri të re me VV-në e cila ka programin e duhur. Debakli i PDK-së në zgjedhje e bën ruatjen e fjalës nga ana e Haradinajt një qëndrim tërësisht religjioz dhe të paarsyeshëm. Do të ishte më mirë t’ia mbajë fjalën votuesit dhe publikut.

Insajderi: Në bazë të prezantimeve të planprogrameve të partive politike në aspektin social, sa janë programe të mirëfillta krahasuar me ato të partive politike evropiane?

Mustafa: Vetëm Vetëvendosja ka program të qartë politik, të përputhshëm me kontekstin social të Kosovës dhe zhvillimet e reja në Europë. E majta europiane është duke u forcuar sepse pabarazia është bërë problematike brenda vetë BE-së dhe ndërmjet shteteve;vendet si Gjermania do të jenë të interesuara ta përkrahin barazinë sociale në Kosovë si masë kundër emigracionit. Liderët e koalicionit PAN u nisën në zgjedhje me bindjen se duke votuar asociacionin dhe demarkacionin, ose ndonjë version të tyre, do të mund të fitonin diçka në shkëmbim nga Gjykata Speciale. Kjo i konvenonte edhe Serbisë dhe faktorëve të jashtëm të cilët janë të interesuar të shohin hapa të mëtejmë drejt integrimit europian. Mirëpo, tani është e pamundshme që VV-ja të mos flasë në emër të Kosovës; do të ishte e ngjashme sikur UÇK-ja të mos ishte në tavolinën e bisedimeve më 1999. Këto zgjidhje mund të arrihen edhe duke negociuar me VV-në. Për të gjitha këto arsye – të dialogut, reforimit të partive të mëdha, dhe dinamikave të reja në zhvillimin social – do të ishte e mirëseardhur që VV-ja, AAK-ja dhe NISMA të hynin në një qeveri. Nga aspekti social dhe i mbështetjes territoriale të votuesve, një qeveri e këtillë do të ishte më e natyrshmja./Insajderi.com