Mustafa fton deputetët “të shkruajnë historinë” me ratifikimin e demarkacionit

Mustafa fton deputetët “të shkruajnë historinë” me ratifikimin e demarkacionit

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka ftuar deputetët e Kuvendit të Kosovës të votojnë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, pasi sipas tij kjo marrëveshje do të dërgonte drejt një hapi historik për Kosovën.

Mustafa ka thënë se Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian Federica Mogherini, hoqi çdo dilemë dhe garantoi se ratifikimi i demarkacionit në Kuvend liberalizon vizat për qytetarët e Kosovës.

“Znj. Mogherini, po ashtu, e sqaroi që kemi bërë progres të konsiderueshëm në luftën kundër korrupsionit dhe se ky kriter tashmë është përmbushur. Andaj, deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë në dorë fatin e lëvizjes së lirë të qytetarëve tanë në BE”, ka thënë kryeministri kosovar.

Kryeministri ka ftuar 120 deputetët e kuvendit që të vendosin ndërmjet interesave të qytetarëve të Kosovës apo izolimit të tyre.

“120 deputetët e zgjedhur me votën tonë duhet të vendosin se a do t’i marrin parasysh interesat e qytetarëve të Kosovës, a do t’i marrin parasysh garancitë e plota të SHBA-ve se shënjimi i kufirit është bërë si duhet, konfirmimet e mëpasme të komisioneve të ekspertëve vendorë e ndërkombëtarë, apelet e BE-së e vendeve mike… apo do të zhytemi më tej në batakun e akuzave e kundër akuzave politike, duke izoluar bashkëvendasit tanë, studentët, familjet, pacientët”, ka thënë Mustafa.

“Andaj, është koha e fundit t’i lemë anash interesat partiake dhe të bëjmë një hap të përbashkët historik përpara”, u shpreh ai. /Insajderi.com