Mustafa: Fitorja e LDK-së në Istog është kontestuar me vota të kriminalizuara

Mustafa: Fitorja e LDK-së në Istog është kontestuar me vota të kriminalizuara

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa së bashku me kandidatin për kryetar të komunës së Istogut, Haki Rugova kërkojnë që në Istog të mos shkohet në rivotim, por të anulohen votat me postë.

Sipas liderit të kësaj partie, në Istog ka fituar kandidati i LDK-së.

Mustafa tha sot se Rugovës është tentuar t’i kontestohet dhe të vërehet në sprovë me vota të kriminalizuara të importuara nga qendrat kriminale, të cilat në mënyrë të organizuar kanë mbush zarfet në Mal të Zi , Serbi, Slloveni dhe në Vjenë.

“Këto vota ne kemi konstatuar se nuk janë vota të diasporës ashtu siç është shprehur kundër kandidati i Rugovës sepse diasporën shqiptare nuk e përbëjnë serbët, malazezët edhe boshnjakët ajo nuk është diasporë në Serbi as në Mal të Zi. Ne e dimë se ku janë bashkatdhetarët tanë të shtrirë në vendet e BE-së. “, tha Mustafa.

Ai po ashtu tha se ankesa e tyre drejtuar Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa janë vërtetuar dhe se mbi këtë bazë është marr vendimi, por jo që të shkohet në rivotim por të anulohen votat me postë.

“Ne e vlerësojmë punën që e ka bërë PZAP, sepse i ka vërtetuar të gjitha rastet në të cilat ne jemi ankuar veç e veç çdo njërën prej tyre do të thotë e ka bërë një punë të bazuar studioze po konsiderojmë që duhet të bëhet ndryshimi i vendimit dhe ne do të kërkojmë nga Gjykata Supreme që ajo ta ndryshojë vendimin e PZAP dhe në vend që të shkohet në rivotim në komunën e Istogut të anulohet pjesa që kanë ardhur me postë që janë vota të kriminalizuara vota të njerëzve të vdekur , vota të njerëzve të cilët ju ka ndërruar identiteti , vota të njerëzve që nuk jetojnë fare në komunën e Istogut , vota të njerëzve që jetojnë në Francë ndërkaq për ta janë dërguar dokumente nga Mali i Zi”, tha Mustafa.

Haki Rugova tha se kanë paraqitur shumë dëshmi dhe se PZAP ka gjetur fakte të bazuara.

“Na kemi konstatuar dhe kemi ofruar mjaft dëshmi edhe në PZAP dhe ka ende dëshmi të tjera që mund të prezantohen kudo dhe kemi konsideruar që procesi i votimit nga këto tri qendra është krejtësisht i manipuluar ka mjaft fakte . Unë konsideroj që qytetarëve të Istogut po iu bëhet një padrejtësi se ata e kanë dhënë votën e vet”, tha Rugova.

Ndërsa i pyetur për Prishtinën , kryetari i LDK-së tha se për këtë proces do të merret Shtabi zgjedhor i Prishtinës dhe kandidati Arban Abrashi.

“Për ne është e pakuptimtë një vendim i i tillë i Gjykatës Supreme, sepse në këtë rast është mohuar e drejta e kandidatit tonë që ai të realizoj të drejtën e tij për transparencë….Gjatë numërimit të fundit të votave me kusht vëzhguesit tanë kanë vërejtur tre zarfe pa fletë votime që kanë qenë të bardha. Ne do të bëjmë vërejte se ku janë ato fletëvotime të cilat nuk janë gjete sepse kjo flet se ekziston mundësia e një treni bullgarë në këtë rast do të kërkojmë që kjo që të sqarohet”, tha Mustafa

Ai po ashtu tha se do të kërkojnë të sqarohet dhe rasti i transportit në ditën e votimit nga Vetëvendosje duke u kamufluar si OJQ, pasi që sipas Mustafës ajo është shkelje ligjore.

Për këto çështje ai tha se ia kanë lënë shtabit të Prishtinës dhe kandidatit Abrashi të cilët sipas afateve do të përgatisin lëndën tek PZAP-ja dhe instanca të tjera.