Mustafa e Veseli ftojnë opozitën në takim në fillim të tetorit

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe kryeparalementari Kadri Veseli, do të ftojnë në takim drejtuesit e partive opozitare në Kosovë në fillim të muajit tetor, për të diskutuar për çështjen e projektligjit për shënimin e vijës kufitare në mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Mustafa e Veseli ftojnë opozitën në takim në fillim të tetorit

Kështu ka bërë të ditur vet kryeministri Mustafa në një lidhje telefonike për televizionin publik të Kosovës.

Muatafa tha se për problematikën e krijuar në vend për shkak të marrëveshjës së demarkacionit me Malin e Zi, ka biseduar edhe në New York me drejtuesit e disa shteteve dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, ku tha se këta të fundit janë të shqetësuar me situatën në vend.

Ai tha se së bashku me kryetarin e Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, do të thërrasin në një takim udhëheqësit e partive opozitare, për të iu përcjellë shqetësimin e faktorit ndërkombëtar në lidhje me këtë çështje.

“Unë do të ftoj në një takim përfaqësuesit e opozitës në fillim të tetorit, së bashku me kryetarin e parlamentit, përkatësisht partnerin kryesor të koalicionit, do të bisedojmë me ta. Do të iu ofrojmë edhe njëherë informatat që kemi marrë nga terreni dhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës për gjendjen faktike në terren. Do të bëjmë përpjekje që të veprojmë mbi bazën e fakteve e jo mbi bazën e emocioneve”, tha Mustafa.

Ai ka shtuar se ua ka bërë me dije faktorit ndërkombëtar se Kosova nuk ka probleme me Malin e Zi, ashtu siç është pasqyruar në publik, por ka opozitën në vend e cila vazhdon të besojë se Kosova humb territor me marrëveshjen e demarkimit të kufirit me Malin e Zi.