Mustafa: Askush më mirë se LDK nuk mund të zhvillojë ekonominë

Mustafa: Askush më mirë se LDK nuk mund të zhvillojë ekonominë

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka prezantuar të shtunën Modelin e Qeverisjes Lokale i cili në fundament të saj ka krijimin e kushteve për zhvillim ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

“LDK është parti e qendrës së djathtë, dhe si e tillë ajo mbanë sektorin privat – iniciativën private – në qendër të besimit të saj ideologjik e politik. Kjo është dëshmuar në vazhdimësi gjatë qeverisjes së LDK-së, qoftë në politikën e taksave, të pakove fiskale, të lehtësirave burokratike, të infrastrukturës e të trajtimit të bizneseve”, ka thënë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

Ai ka thënë se LDK-ja në këto zgjedhje lokale ka program të qartë për zhvillim ekonomik lokal për secilën komunë, varësisht prej specifikave të komunës. “Qeverisja lokale që ofron LDK-ja është e orientuar drejt: zvogëlimit të papunësisë dhe rritjes së standardit të jetesës përmes aktivizimit të potencialeve për rritje ekonomike dhe punësim; krijimit të kapaciteteve të reja ekonomike; krijimit të mundësive për investime të reja; dhe rritjes së konkurrueshmërisë së bizneseve nëpërmjet përmirësimit dhe avancimit të vetëqeverisjes lokale në fushën e ekonomisë”, ka thënë Mustafa.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se sektori privat në nivel vendi ka shënuar rritje të numrit të bizneseve. Sipas të dhënave nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përpos rritjes së numrit të bizneseve aktive, ka filluar të ndryshoj edhe struktura. Tani kemi një rritje të numrit të bizneseve në sektorin e prodhimit dhe kjo falë politikave ekonomike dhe fiskale që ka implementuar nga Qeveria Mustafa gjatë viteve 2014-2017.

“Platforma për zhvillim ekonomik lokal garanton që, në katër vitet e ardhshme, në komunat e qeverisura nga LDK: të zhvillohen politika përkrahëse lokale për biznese; përmirësim të infrastrukturës urbane dhe rurale; përmirësim të shërbimeve publike; mundësi më të mëdha dhe të barabarta për të gjitha bizneset dhe qytetarët; kushte më të përshtatshme për zhvillimin e bizneseve të vogla dhe të mesme; kreditimin e jashtëm për projekte komunale; mbështetjen e bizneseve që krijojnë vende të reja të punës; dhe mbështetjen e prodhimit bujqësor lokal dhe ekologjik etj”, ka thënë Hoti.