Mustafa akuzon Veselin: Qeverinë po e bëni me sekserë

31.08.2017 10:12
Mustafa akuzon Veselin: Qeverinë po e bëni me sekserë

Kryeministri në detyrë, Isa Mustafa, ka vazhduar edhe të enjten kritikat ndaj rivalëve politikë, të filluara dje përmes një shkrimi të gjatë në llogarinë e tij në Facebook.

Ai thotë se do të kishte dashur që dje të shkruante se si partitë kanë pasur qasje ndryshe në Kuvendin e Kosovës, duke dhënë “vërejtje me vend për proceset të cilat duhet t’i qojmë më shpejt”.

“Kjo nuk ndodhi, sepse ata që e rrëzuan qeverinë i dhanë të drejtë dhunës. Legalizuan gurët dhe flakën e hedhur mbi policët tanë (djem dhe vajza të këtij vendi që shërbejnë për një pagë për të mbajtur familjet e tyre dhe për të mbrojtur shtetin e tyre)”, ka shkruar Mustafa.

“Promovuan akterët e flakës së vënë ndërtesës së Qeverisë dhe të Kuvendit, të sulmeve me mollotov dhe bomba në shtëpi private, të kanonadave të gazit lotësjellës dhe dhunës në Sallën ku aprovohet Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës. Të predhave të drejtuara në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë kryetari i LDK-së.

Mustafa thotë se të mërkurën do të kishte dashur të shkruante se si PDK, VV, Lista Serbe, AAK, Nisma, përfaqësuesit e turqve, boshnjakëve, romëve, ashkalinjve, egjiptasëve në Kuvend vlerësuan punën më përkushtim për rritjen ekonomike stabile prej 4%.

Në këtë kontekst, ai ka përmendur edhe të arritura të tjera që sipas tij kanë ndodhur gjatë qeverisjes së tij, e që nuk janë vlerësuar nga të tjerët, përfshirë punësimin e mbi 40 mijë personave, rritja e buxhetit, pensioneve, pensioneve të veteranëve, arritjen e marrëveshjes për Stabilizim-Associim, e të tjera.

Ata që rrëzuan Qeverinë, sipas Mustafës, “u hapën rrugë atyre që sot tentojnë ta formojnë qeverinë me pazare të llojeve të ndryshme. Me sekserë”.

“Sepse ndryshe e kanë vështirë ta formojnë, pasi krye-ideatori i rrëzimit të qeverisë tregoi se nuk di të mendoj politikisht. Dhe nga një rrugë normale, me mendësinë e konspiracionit, e solli vendin në këtë derexhe”, ka shkruar ai.

“E vërteta është e dhimbshme. E dhimbshme është që unë si Kryeministër, si Kryetar i LDK-së, anëtar Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, profesor i dhjetëra mijërave studentëve të Universitetit të Prishtinës, prind dhe gjysh, t’u rrëfehem qytetarëve të mi për gënjeshtrat, dhunën dhe maltretimet politike”, ka shkruar ai.

“Por, ballafaqimi me të vërtetën pasqyron vlerat e një shoqërie. E vërteta nuk bën të harrohet. Sepse vetëm e vërteta bëhet faktor korrigjues i sjelljeve. Djallit engjëll nuk mund ti themi. Edhe Bibla edhe Kurani e pranojnë se kemi djaj dhe engjëj, por ata i ndan. Ndërkaq, njerëzit i edukojnë të bëjnë vepra të mira.”/Insajderi.com