Musliu: Në protestën për Ramushin kishte njerëz që fabrikuan dosje kundër UÇK-së

Musliu: Në protestën për Ramushin kishte njerëz që fabrikuan dosje kundër UÇK-së

“Me vullnetin më të madh sot u zhvesha nga petku i deputetes dhe ai partiak për të dhënë një kontribut sa do të vogël duke shprehur revoltën time si qytetare për mbajtjen padrejtësisht në Francë të Gjeneral Ramush Haradinajt”. Kështu e nis një postim deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, pas protestës në përkrahje të Haradinajt.

Përveç kësaj, ajo nxjerrë një vlerësim tjetër. Thotë se në protestë pa njerëz, të cilët deri dje fabrikuan dosje kundër UÇK-së.

“Dikush do ta merrte zhgënjim keqpërdorimin e protestës, por unë jo, sepse edhe pse protesta më së paku ishte protestë për Ramushin, edhe pse protesta u keqpërdor, kjo protestë kishte një të mirë: Sot u kuptua përfundimisht se ata që deri dje fabrikuan tinëz dhe fshehurazi dosje kundër UÇK-së, sot kishin dal hapurazi me pankarta në duar dhe tregonin kush nga krerët e UÇK-së e ka radhën për t’u burgosur. Sot ma shumë se kurrë ma dëshmuan ata që qajnë me lot krokodili kundër gjykatës speciale se ata asnjëherë nuk ishin kundër kësaj gjykate, ata i kontribuuan fshehurazi deri sot, e sot dolën sheshit me pankarta në duar”, shkruante deputetja Ganimeve Musliu në llogarinë e saj në Facebook.

Ajo ka falënderuar simpatizantët e PDK-së të cilët sipas saj, tejkaluan politikën dhe e mbështetën luftën e UÇK-së.

“Një faleminderim të veçantë dua të bëj për ata mijëra simpatizantë të PDK-së, të rinj e të reja që edhe sot për kundër provokimeve të shumta, u përmbajtën në protestë dhe dëshmuan se Lufta e UÇK-së dhe popullit të saj kalon përmasat partiake e regjionale. Jam krenare me JU!”, ka shkruar më tej ajo.

Ajo ka thënë se doli në protestë për të përkrahur sakrificën e secilit që dha për lirinë e Kosovës.

“Për të shprehur edhe njpheë respektin dhe mirënjohjen time për luftën e Shkelzenit dhe Luanit, për luftën e shenjtë të mijëra dëshmorëve, dhjetëra mijëra ushtarëve e veteranëve, vuajtjen e mijëra grave e vajzave të dhunuara. Për mijëra fëmijë të vrarë e masakruar, për shumë konaqe të mbyllura e lana shkret”, ka shkruar deputetja Musliu.

“#MeRamushin dhe #UÇK, por kurrë asnjëherë me ata që tentojnë ta njollosin luftën e lavdishme për liri!”, ka përfunduar ajo./Insajderi.com