Musliu e përkrahë idenë e Rexhep Qosjes për shkëmbim territoresh

Musliu e përkrahë idenë e Rexhep Qosjes për shkëmbim territoresh

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Jonuz Musliu, e përkrahë idenë e akademik Rexhep Qosjes për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë.

Musliu ka thënë se Lugina e Preshevës është pjesë e Kosovë, e cila, sipas tij, pas Luftës së Dytë Botërore, është aneksuar dhunshëm nga ish-Jugosllavia pa vullnetin e qytetarëve të Kosovës.

“Propozimi i akademikut Rexhep Qosja është i pranueshëm. E tëra kjo deklaratë e tij jep të kuptojë se Kosova nuk po mund të kontrollojë as veriun e as Luginën e Preshevës”, ka thënë Musliu për Epokën e Re.

Lugina e Preshevës, sipas Musliut, është në situatë shumë të rëndë. Vetë faktori ndërkombëtar, shton ai, e pranon se populli më i diskriminuar në Evropë janë shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët janë pa asnjë të drejtë.

“Kurse serbët e Kosovës i kanë të gjitha të drejtat. Ne çdoherë kemi kërkuar reciprocitet ose në bazë të referendumit të shprehet verdikti i popullit shqiptar të Luginës së Preshevës. Prandaj mendoj se ky do të jetë vit i sfidave”, ka thënë Musliu.

Sipas tij, duhet njëherë e përgjithmonë Presheva të bashkohet me trungun amë, me Kosovën.

Akademik Rexhep Qosja insiston se propozimi i tij për shkëmbim territoresh në mes të Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht veriu i Kosovës t’i jepet Serbisë në këmbim të Luginës së Preshevës, është në dobi të shtetit të Kosovës.