Myslimanja e parë pilote ushtarake në Amerikën Latine

24.03.2017 13:44
Myslimanja e parë pilote ushtarake në Amerikën Latine

Pilotja ushtarake Maybeline Thoraya Boraei Alvarez, është femra e parë muslimane në forcat ajrore të një shteti latino-amerikan, ndërsa këtu nuk përfundon ëndrra e saj, meqë synon postin e ministres së Mbrojtjes së Ekuadorit.

Duke folur për gazetarin e Anadolu Agency (AA) , Alvarez tha se është e bija e një emigranti nga Egjipti, ndërkohë që në akademinë ushtarake ka qenë njëra nga kadetet më të mira.

Ajo u shpreh e kënaqur nga trajtimi që i bëhet në ushtrinë e Ekuadorit.

“Të gjithë miqtë e mi e dinë se jam një muslimane dhe respektojnë përcaktimin tim. Madje disa nga kolegët dhe miqtë pasi më kanë njoftuar kanë filluar të interesohen për islamin, të mësojnë për te”, tha 25 vjeçarja Alvarez.

Në forcat ajrore ishte pranuar në vitin 2008.

Alvarez thotë se me një përkushtim dhe durim ka tejkaluar problemet me të cilat ishte përballur në fillim të karrierës së saj ushtarake.

“Nuk konsumoja mish derri për çka në muajt e parë humba 10 kilogram në peshë. Kjo tërhoqi vëmendjen e Komandës dhe nga atëherë marr ushqim të posaqëm. Në mënyrë shtesë, Komanda ripërcaktoi detyrat e mia në mënyrë që të kryej ritet fetare”, tha Alvarez.

Alvarez tha se është e kënaqur me statusin në Forcat Ajrore të Ekuadorit, por me punë dhe disiplinë dëshiron të arrijë edhe objektiva të tjera, përfshirë synimin që të bëhet ministre e Mbrojtjes së vendit.

“Unë jam gruaja e parë muslimane në Forcën Ajrore të Ekuadorit, por edhe në të gjithë Amerikën Latine. Populistët, disa media dhe grupet radikale punojnë në krijimin e një imazhi të keq të Islamit dhe muslimanëve në përgjithësi, por duke u bërë shembull i mirë, ne duhet të nxjerrim në dritë fytyrën e vërtetë të besimit tonë”, tha Alvarez.