Munishi kritikonte gazetarët se po fshehin rastet e “kurdisjeve” [video]

Munishi kritikonte gazetarët se po fshehin rastet e “kurdisjeve” [video]

Në prill të vitit të kaluar, Ismet Munishi akuzonte gazetarët se nuk po e pasyqrojnë realitetin e futbollit të Kosovës, ashtu siç është. Trajneri që sot u suspendua nga KF Drita për shkak se ishte i përfshirë në një video-skandal ku flitej për trukim të ndeshjeve, thoshte se po kurdisën ndeshjet.

Munishi është përfshirë në një video skandal së bashku me gjyqtarin e futbollit të Kosovës, Bajram Gashi, teksa flisnin për trukimin e ndeshjes Drita-Prishtina.

Por, një vit më parë, ishte Munishi ai që kritikonte gazetarët se nuk po zbulojnë “kurdisjet” që ndodhin në futbollin e Kosovës, raporton Insajderi.

“Përse nuk del një analist apo një gazetar me tregu realitetin e futbollit të Kosovës”, kishte thënë Munishi pas përfundimit të ndeshjes Prishtina-Hajvalia vitin e kaluar. Munishi, asokohe drejtonte Hajvalinë.

“Mua më vjen keq, se as nuk ka analista, as nuk ka gazetarë që e pasqyrojnë realitetin e futbollit të Kosovës. Duhet me u paraqit realiteti i futbollit të Kosovës qysh është”, thoshte ai.

Munishi është suspenduar sot nga detyra e trajnerit të Dritës, pas përfshirjes në video-skandalin e publikuar sot nga portali “Indeksonline”.  /Insajderi.com