Mungesa e një ilaçi në QKUK ndërpret operimet, pacientët dërgohen në shtëpi

Mungesa e një ilaçi në QKUK ndërpret operimet, pacientët dërgohen në shtëpi

Pacientët e shtrirë në reparte të ndryshme në Qendrën e Klinikës Universitare të Kosovës, pos hallit që kanë me shëndetin, po përballen edhe me mungesën e barnave nga lista esenciale. Madje në disa Klinika të QKUK-së janë ndalur edhe operacionet, për pasojë pacientët e shtrirë në mungesë të barnave ​drejtohen për në shtëpitë e tyre deri sa të kryhen furnizimet që ShSKUK e ka nisur sot. Por sasitë po cilësohen si jo të mjaftueshme. Sipas mjekëve, me një situatë të tillë Kosova nuk është ballafaquar që nga pas lufta

Që nga e premtja e javës së kaluar në Klinikën e Gjinekologjisë Obstetrike ka mungesë së terapisë ‘Fentanyl’. Terapi kjo, përdorimi i së cilës është i pashmangshëm në sallën e operacionit. E njëjta nuk gjendet askund në barnatoret e shtetit si dhe shitja e saj është e ndaluar me ligj. E pikërisht kjo terapi i ka bllokuar punën mjekëve të QKUK-së tash e disa ditë.

Në klinikën e Gjinekologjisë që nga e premtja e deri sot rreth 12 pacientë, raste kryesisht jo emergjente të cilët i kishin të planifikuara operime, nga drejtuesit e klinikës janë udhëzuar që kthehen për në shtëpi. E gjithë kjo në mungesë të ‘Fentanylit’.

Detaje për këto problematikë kanë dhënë sot gjatë ditës për Gazetën Express, drejtues së Klinikës. Doktor, Fehmi Zeqiri, thotë se pa këtë terapi, punët në sallën e operacionit nuk kryhen.

“Ka disa ditë që jemi duke i liruar për në shtëpi pacientët të cilët kanë qenë në program të operimit.  Ne zakonisht përafërsisht i bëjmë ka 4-5 pacientë në ditë. Duhet ta sqarojmë se rastet emergjente janë kryer gjatë gjithë kohës. Rastet me gjakderdhje të brendshme të gjitha janë kryer”, thotë doktor Fehmiu.

Ai shpjegon se me një situatë të tillë shëndetësia kosovare nuk është ballafaquar që nga përfundimi i luftës. Por pavarësisht mungesave nga kjo Klinike sot janë njoftuar se është bërë furnizimi me 100 sasi të fentanylëve. E kjo sasi mund të zgjasë vetëm për dy ditë.

“Neve sot na erdhi lajmi që janë siguruar 100 fentanyla. Kjo terapi nuk gjendet nëpër barnatore,  e ne as nuk guxojmë që ta përshkruajmë këtë lloj të terapisë.  Realisht unë nuk mbajë mend nëse që nga paslufta kemi pas probleme të tilla,. Ne tash pas furnizimit do të fillojmë me operimet. Emergjente janë 3 raste që tash do t’i kryejmë. Shtatzanitë i kemi kryer”, thotë ai.

E në anën tjetër, anesteziologu klinikës së Gjinekologjisë Obstetrike, Hysen Hyseni,ka shpjeguar rreth vështirësive rreth mungesës së këtij medikamenti.

“Sot kanë ardhur rreth 100 fentanyla. Por këto nuk janë të bollshme as për 2-3 ditë.  Ky furnizim realisht është i vogël. Ne po llogarisim se do të fillojnë me furnizim të rregullt”, thotë ai.

QKUK: Klinikat janë furnizuar me disa sasi të ‘Fentanylëve’

Në Qendrën Klinike dhe Universitare e Kosovës kanë thënë se tashmë ka filluar furnizimi me ‘Fentanyl’ si dhe për disa produkte të tjera. Nga QKUK thonë se të gjitha sallat e operacionit janë në funksion.

“Ampulla Neostogmin janë furnizuar klinikat. Po ashtu klinikat janë furnizuar edhe me një sasi të amp. Fentanyl. Ndërkohë që për produktet tjera që ju keni cekur janë në procedurë të lidhjes së kontratave nga Fondi I Sigurimeve Shëndetësore dhe pritet të bëhet furnizimi”,deklarojnë nga QKUK.

Por ky institucion shëndetësor edhe më tutje deklarojnë se ka mungesa të ilaçeve.

“Ka disa mungesa që pritet të furnizohemi ditë në vijim meqë shumë kontrata janë  lidhur dhe pritet të lidhen nga FSSH. Ka pasur furnizime së fundmi me disa produkte, ditëve në vijim pritet furnizime. “.

MSH: Nesër e nënshkruajmë kontratën e re për ‘Fentanyl”

Nga ana tjetër nga Ministria e Shëndetësisë thonë se nesër do të nënshkruhet kontrata e re për furnizim me Fentanyl. SI dhe për disa barna tjera kontrata do të nënshkruhen së shpejti.

“QKUK është furnizuar sot me Fentanyl në formë doacioni, ndërsa nesër nënshkruhet kontrata e re për furnizim të rregullt. Për Neostigmine, operatori ekonomik  e ka marre sot urdhër-blerjen nga Fondi i Sigurimeve qe te beje furnizimin e institucioneve. Ndërsa për Urbazon dhe Digoksin, do te zhvillohen aktivitete re reja te prokurimit”, thonë zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë.