“Mund të vonohemi pak, por do ta zgjedhim kryeparlamentarin”

13.08.2017 15:59
“Mund të vonohemi pak, por do ta zgjedhim kryeparlamentarin”

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ardian Gjini mohon se është mungesa e numrave arsyeja e mos shkuarjes në seanca të thirrura nga kryesuesi i Kuvendit, Adem Mikullovci. Ai thotë se është Vetëvendosje dhe LDK ato që po e bllokojnë formimin e institucioneve.

Por siguron se ka vetëm vonesë deri në zgjedhjen e kryeparlamentarit, pasi kjo sipas tij, është punë e kryer.

Gjini konsideron se shumë shpejt do të krijohen institucionet për të cilat thotë se janë kryer të gjitha përgatitjet për këtë çështje.

Ndonëse nuk do të marrin pjesë në seancën e nesërme, nënkryetari i AAK-së thotë se Vetëvendosje dhe LDK nuk po kanë interesim për të biseduar.

“VV dhe LDK nuk kane interesim as për të biseduar. Po duket se janë të përgatitura për ta bllokuar ecjen përpara për krijimin e institucioneve”, ka thënë Gjini për Express.

“Ne i kemi kryer përgatitjet dhe shume shpejt do të krijohen institucionet. Refuzimi i partive parlamentare për të biseduar me koalicionin fitues te zgjedhjeve mund të shkaktojë edhe pak vonesë, por nuk mund ta parandalojë pafundësisht zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe të Qeverisë”, ka shtuar ai.

Nënkryetari i AAK-së ka thënë se ka deputetë që janë të gatshëm të ndihmojnë në zhbllokimin e situatës.

“Ka deputetë që janë të gatshëm që të ndihmojnë në zhbllokimin e procesit, por kanë presion nga grupet politike. Tanimë është e qartë se nuk do të pritet gjatë”, ka përfunduar nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini.

Seanca e nesërme do të zhvillohet pa praninë e koalicionit PAN. Këta të fundit po kërkojnë që javën e ardhshme të mbahet një takim konsultativ së pari dhe pastaj të vendoset për seancën.

Nga ana tjetër, kandidati për kryeministër Ramush Haradinaj  është zotuar se Qeveria do të bëhet brenda dhjetë ditësh.