MTI inicion hetimet anti-dumping për importin e qumështit

MTI inicion hetimet anti-dumping për importin e qumështit

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e Republikës së Kosovës ka marrë vendim për fillimin e hetimeve anti-dumping për importin e qumështit dhe produktet e qumështit me përmbajtje të yndyrës bimore dhe shtazore në Republikën e Kosovës, raporton Insajderi.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë e ka marrë këtë vendim para dy ditësh, në mbështetje të nenit 92 paragrafi 4 dhe nenit 93 paragrafi 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenit 4, 21, 22 të Ligjit Nr. 03/L-189 për Administratën Shtetërore të Republikës së Kosovës, nenit 28 të Ligjit Nr. 04/L-240 për Masat Antidamping dhe Masat Kundërbalancuese, si dhe nenit 8 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 dhe Shtojcës 8 të Rregullores Nr. 02/2011 për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit.

“Aprovohet rekomandimi i Departamentit të Tregtisë dhe Komisionit ndër-ministror për Vlerësimin e Detyrimeve të Veçanta në Importe për fillimin e hetimeve anti-dumping për importin e qumështit dhe produktet e qumështit me përmbajtje të yndyrës bimore dhe shtazore në Republikën e Kosovës”, thuhet në vendim.

Në arsyetim thuhet se bazuar në kërkesën nr.7728 dt.27.11.2017 nga Shoqata e Përpunuesve të Qumështit në Kosovë dhe Shoqata e Fermerëve Kosovar të Qumështit, për mbrojtje nga importi i qumështit dhe produktet e qumështit me përmbajtje të yndyrës bimore dhe shtazore apo imitimeve të tilla të cilat shiten në Republikën e Kosovës, nga vende të ndryshme kryesisht nga regjioni dhe vendet e BEsë, Departamenti i Tregtisë në bashkëpunim me Komisionin ndër-ministror për Vlerësimin e Detyrimeve të Veçanta në Importe i ka rekomanduar Ministrit së MTI-së, inicimin e hetimeve për vërtetimin e ekzistimit të dumpingut për importin e qumështit dhe produktet e qumështit me përmbajtje të yndyrës bimore dhe shtazore.

“Departamenti i Tregtisë ka rekomanduar për fillimin e hetimeve anti-dumping për importin e qumështit dhe produktet e qumështit me përmbajtje të yndyrës bimore dhe shtazore apo imitimeve të tilla, pasi që ka dyshime se të njëjtat importohen me çmime më të ulëta në krahasim me çmimet në vendin e origjinës ose nën koston e prodhimit të vendit të origjinës. Duke u bazuar në nenin 28 të Ligjit Nr. 04/L-240 për Masat Antidamping dhe Masat Kundër balancuese, Ministri vendosi si në dispozitivin e këtij Vendimi”, thuhet në arsyetimin e vendimit të nënshkruar nga ministri Bajram Hasani.

Ndryshe, bëhet e ditur se ky vendim hyn në fuqi ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

Vendimi i është dërguar institucioneve përkatëse si: Dogana e Kosovës, Zyra e Sekretares së Përgjithshme/MTI, anëtarëve të Komisionit për Vlerësimin e Detyrimeve të Veçanta të Importit, Departamentit të Tregtisë, Departamentit Ligjor dhe Arkivit të MTI-së.