“Mshele” – eskalimi i debatit mes deputeteve Gaxherri-Haxhiu

“Mshele” – eskalimi i debatit mes deputeteve Gaxherri-Haxhiu

Deputetet e dy partive, Besa Gaxherri nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje janë përplasur keq në seancën e sotme në Kuvendin e Kosovës, që ende po vazhdon.

Teksa Gaxherri në fjalën e saj thoshte se deputetët e VV-së janë shembull i keq për të rinjtë, aty ka ndërhyrë deputetja Haxhiu.

Deputetja opozitare, e cila nuk dëgjohej mirë për shkak se nuk e kishte mikrofonin e lëshuar, filloi që të përmend djalin e Besa Gaxherrit.

Haxhiu e cila nuk dëgjohej mirë, vazhdonte të fliste për djalin e Gaxherrit, për të cilin, disa muaj më parë ishte përmendur të jetë rehatuar në Aviacionin Civil, por që më vonë u tërhoq për të qëndruar vetëm si gazetar në një televizion kosovar.

E fakti që deputetja Haxhiu vazhdonte të fliste, e ka bërë nervoz deputeten Gaxherri e cila kishte fjalën.

“Mshele, mos babëzi”, i tha Gaxherri, deputetes Haxhiu.

Megjithatë kjo nuk e ka ndaluar deputeten Haxhiu që të vazhdojë të flas, duke ia ndërruar edhe temën deputetes Gaxherri, e cila ia përmendi koleges së saj, gazin lotsjellës e shumë akte të tjera që kanë ndodhur në Kuvendin e Kosovës, vitin e fundit, shkaku i kundërshtimit të Asociacionit të komunave serbe dhe marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi./Insajderi.com