“Serbia po shet e fal armë për të penguar njohjen e Kosovës”

“Serbia po shet e fal armë për të penguar njohjen e Kosovës”

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka thënë se Serbia po e përdor shitjen dhe faljen e  armëve si mjet të diplomacisë për pengimin e njohjes së Kosovës.

Ky njoftim vjen nga MPJ pas publikimit të disa dëshmive nga Amnesty International, se armatimi i prodhuar në Serbi po vazhdon të përdoret në disa shtete afrikane.

“MPJ shpreh shqetësimin e thellë mbi publikimin e dëshmive bindëse nga organizatat kredibile ndërkombëtare, siç është Amnesty International se armatimi i prodhuar në shtetin serb vazhdon të përdoret nga disa shtete afrikane, të cilat bëjnë shkelje sistematike të të drejtave të njeriut dhe madje përdoren edhe nga luftëtarët e Organizatës Terroriste Boko Haram”, thuhet në njoftimin MPJ-së.

Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se publikimi i këtyre dëshmive forcon bindjen se Serbia ka përdorur dhe po përdorë shitjen dhe faljen e armëve si mjet të diplomacisë për të joshur disa shtete në kontinentin afrikan që ende nuk e kanë njohur Kosovën që mos të ndërmarrin një hap të tillë.

“Ministria e Punëve të Jashtme thërret Komunitetin Ndërkombëtar që të rrisë kontrollin, verifikimin dhe mbikëqyrjen e sjelljeve dhe veprimeve të tilla të shtetit serb në kontinentin afrikan, të cilat në mënyrë të tërthortë i kontribuojnë abuzimeve të të drejtave themelore të njeriut dhe kërcënimit serioz të paqes dhe sigurisë”, vazhdon njoftimi i MPJ-së.