Motra e Dukagjin Goranit mohon se ishte pjesë e bartjes së votuesve

Motra e Dukagjin Goranit mohon se ishte pjesë e bartjes së votuesve

Kandidatja për Asambleiste në Kuvendin Komunal të Prishtinës nga radhët e Vetëvendosje, Visare Gorani dhe njëherit motra e deputetit Dukagjin Gorani ka mohuar se ka qenë pjesë e organizimit të bartjes së qytetarëve në votime.

Në një prononcim për Gazetën Blic, ajo ka thënë se ka pasur mjaftueshëm miq për ta votuar për asamble. Madje ajo e ka quajtur si non sens këtë bartje kinse të Vetëvendosjes.

“Po çfarë bartje kjo është non sens. Jo, nuk kam qenë pjesë e organizimit të bartjes së qytetarëve në votime. Kam miq dhe mikesha që më kanë votuar për asamble”, ka deklaruar Gorani.

Gorani ka thënë se ftesën për qytetarët për të dalë në votime e ka pasur në rrjetin e saj social në Facebook.

“Ftesën për qytetarët që të dalin në votime e kam pasë në facebook. Besoj se është e drejtë që qytetarët duhet të dalin e të votojnë për kandidatin e preferuar’, ka përfunduar ajo.

Mediat kanë raportuar se në listën e organizimit të bartjes së qytetarëve nga ana e Vetëvendosjes në emër të një OJQ-je, është edhe emri i Visare Gorani-Gashi e cila është motra e deputetit Dukagjin Gorani.