Mosul, forcat irakiane i marrin ISIS-it një tjetër lagje në qytet

Mosul, forcat irakiane i marrin ISIS-it një tjetër lagje në qytet

Forcat irakiane kanë rimarrë kontrollin e një lagjeje të dytë në zonën perëndimore të Mosulit, kryeqendra e xhihadistëve të Shtetit Islamik në Irak. Komandantët ushtarakë kanë deklaruar se po kontrollojnë shtëpi më shtëpi në lagjet Gogjali dhe Samaha, duke u kërkuar banorëve të mos dalin prej andej.

Ndërkohë, 30 militantë të ISIS-it, kanë kryer një inkursion në qytetin Shirqat, 100 km në jug të Mosulit dhe janë mbyllur në një xhami, duke sulmuar më pas një qendër të forcave të sigurisë. Kryebashkiaku Ali Dodah tha se 15 xhihadistë janë vrarë nga forcat e sigurisë dhe trupat e tyre janë hedhur në rrugë.

Sulmi, ka nënvizuar kryebashkiaku, duket se ka si qëllim për të treguar se ISIS është akoma i fortë dhe i aftë të luftojë, ndërsa vazhdon beteja për Mosulin. Aksioni duket se pësoi të njëjtin fat me sulmin e bërë muajin e shkuar në Kirkuk, ku u vranë m dhjetëra civilë dhe 76 militantë xhihadistë sipas një bilanci zyrtar.

Shirqat, i cili prej dy vjetësh kontrollohet nga Shteti Islamik, është rimarrë nën kontrollin e trupave qeveritare vetëm në fund të muajit shtator.

Dodah ka thënë që militantët xhihadistë mbërritën në qendër të qytetit në bordin e disa varkave përmes lumit Tigër. Pastaj u strehuan në një xhami, ku përdorën altoparlante për të përhapur një mesazh ku thoshin se ISIS do të mbijetojë. Në fund sulmuan një seli të sigurisë, por policia dhe milicitë e Mobilizimit Popullor kanë reaguar.