(Mos)ratifikimi i demarkacionit “në duart” e VV-së apo Listës Serbe

(Mos)ratifikimi i demarkacionit “në duart” e VV-së apo Listës Serbe

Po bëhen 3 vjet, që kur Kosova dhe Mali i Zi, kanë nënshkruar marrëveshjen për vijën kufitare në mes këtyre dy vendeve. Mirëpo, kjo marrëveshje përkundër që është miratuar në Kuvendin e Malit të Zi, të njëjtën gjë nuk e ka bërë Kosova.

Kjo përshkak të kundërshtimit të kësaj marrëveshje nga Lëvizja Vetëvendosje, AAK dhe Nisma, por edhe disa deputetë të partive tjera.

Arsyetimi i tyre vazhdimisht kishte qenë se Kosova humb territor përmes kësaj marrëveshje.

Madje, për moslejimin e ratifikimit të saj, deputetët e këtyre tri partive politike, gjatë mandatit të kaluar, patën hedhur gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Ratifikimi i demarkacionit, kishte qenë preteks për rrëzimin e qeverisë Mustafa.

E menjëherë pas rrëzimit të asaj qeverie, u patën mbajtur zgjedhjet e jashtzakonshme parlamentare, në qershor të vitit të kaluar.

Fituese e atyre zgjedhjeve kishte qenë koalicioni PAN, koalicion që përbëhej nga PDK, AAK dhe Nisma.

Kandidati për kryeministër nga ky koalicion, kishte qenë Ramush Haradinaj, i cili kishte formuar qeverinë, në koalicion me AKR-në e Behgjet Pacollit, dhe Listën Serbe.

Një ndër vendimet e para të kryeministrit Haradinaj, kishte qenë shkarkimi i Komisionit që udhëhiqej nga Murat Meha, dhe emërimi i një komisioni të ri, në krye me Shpejtim Bulliqin.

Të gjeturat e këtij komisioni, kishin qenë, që Kosova humb territor me marrëveshjen aktuale, duke rekomanduar për rinegocim të saj.

Kjo nuk kishte arritur që të bëhet. Por, pas bisedave në mes zyrtarëve të Kosovës dhe Malit të Zi kishin arritur te një pajtueshmëri që rishikohet kjo marrëveshje dhe të gjenden gabimet eventuale. Madje, shtyri akterët qeveritarë që të marrin vendim për procedimin në Kuvend të marrëveshjes së komisionit të Murat Mehës, por me disa elemente shtesë.

Ishte një aneks-marrëveshje në mes presidentit të Kosovës dhe atij të Malit të Zi, dhe gjithashtu edhe raporti i komisionit të Shpejtim Bulliqit.

Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk kishte pranuar që Brenda saj të futet raporti i Bulliqit. Me kushtin e LDK-së, nuk u pajtua kryeministri Ramush Haradinaj.

Kjo gjë bëri që të dështojë seanca e ditës së djeshme.

Mirëpo, gjërat ndryshuan gjatë ditës së sotme. Kjo përshkak të arritjes së një marrëveshje në mes Ramush Haradinajt, Kadri Veselit dhe Behgjet Pacollit.

Ata janë pajtuar që në seancën e së mërkurës të votojnë pro demarkacionit, së bashku me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Mirëpo, përkundër gjetjes së kompromisit, koalicioni qeverisës së bashku me deputetët e LDK-së, nuk mund t’i kenë votat e mjaftueshme për kalimin e tij.

Kjo përshkak se deputetët nga pozita dhe LDK, aktualisht posedojnë 78 deputetë në Kuvendin e Kosovës, e për kalimin e demarkacionit nevojiten së paku 81 sosh.

Rrjedhimisht, atyre iu duhen edhe tre deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe.

Të dyja këto parti, deri më tani kanë dhënë deklarime të qarta se janë kundër kësaj marrëveshje. /Insajderi.com