Ministria e Jashtme ruse reagoi me zemërim ndaj pretendimeve se diplomati i lartë i Moskës në Uashington është një spiun, në mesin e kundërshtive që kanë ngjallur takimet e tij" />

Moska mohon akuzat për spiunazh

Moska mohon akuzat për spiunazh

Ministria e Jashtme ruse reagoi me zemërim ndaj pretendimeve se diplomati i lartë i Moskës në Uashington është një spiun, në mesin e kundërshtive që kanë ngjallur takimet e tij me Prokurorin e Përgjithshëm amerikan, Jeff Sessions.

Media amerikane CNN raportoi të mërkurën se ambasadori rus Sergei Kisliak konsiderohet nga inteligjenca amerikane si një prej kryespiunëve e rekrutuesve të agjentëve rusë në Uashington, duke cituar zyrtarë e ish-zyrtarë të lartë të qeverisë amerikane. Por, e pyetur lidhur me çështjen, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova këmbëngul se Kisliak ishte një diplomat i mirënjohur, i klasit botëror.

“Ai ka qenë zëvendësministër i Jashtëm i Rusisë, i cili ka pasur komunikime të shumëllojshme me kolegët amerikanë për dekada me radhë. Dhe CNN e quan atë një spiun dhe rekrutues. Oh, Zot i madh”, tha Zakharova.

Demokratët kanë kërkuar dorëheqjen e Sessions, pasi ky i fundit fshehu takimet që kishte pasur me ambasadorin rus gjatë seancave të konfirmimit në Senat. Në një konferencë për shtyp të enjten, Zakharova përgënjeshtroi raportimet mediatike lidhur me takimet me Sessions dhe Kisliak, duke i quajtur ato të turpshme dhe keqinformuese.

I pyetur lidhur me akuzat për spiunazh ndaj Kisliak, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov tha: “Askush nuk ka dëgjuar ndonjë koment të vetëm nga agjencitë amerikane të zbulimit për ambasadorin tonë. Këto janë pretendime të depersonalizuara të mediave, që përpiqen në mënyrë të vazhdueshme të çojnë jashtë kontrollit këtë situatë”.

Peskov këmbënguli gjithashtu se Rusia nuk ka ndërhyrë në asnjë rast në punët e brendshme të një vendi tjetër e as ka në plan të bëjë këtë në të ardhmen. Sipas tij, atmosfera e ngarkuar emocionalisht, siç e quajti, po ndikonte tek perspektiva e përmirësimit të marrëdhënieve mes SHBA e Rusisë.