“Mos bëjë ciu ciu” – Thumbimet e Veselit ndaj dy deputetëve të rinj të LDK-së

“Mos bëjë ciu ciu” – Thumbimet e Veselit ndaj dy deputetëve të rinj të LDK-së

Kryetari i PDK-së dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka pasur dy përplasje dhe replika me dy deputetët e rinj të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ai madje ka përdorur edhe një fjalor të njëjtë ndaj të dyve. Të parin, në seancën e para disa javësh, Driton Selmanajn i cili akuzoi kryetarin Veseli se nuk e di rregulloren e Kuvendit duke e këshilluar që të angazhojë këshilltarë.

Ky leksion i Selmanajt nuk i pëlqeu Kadri Veselit i cili i tha se është manipulues i shoqërisë civile.

Mirëpo, pas kësaj ka replikuar Selmanaj i cili tha se pastërtia  e tij personale është e pastër si loti dhe ka sqaruar largimin nga KDI. Ai po ashtu uu drejtua qytetarëve duke u thënë se duhet të ndihen mirë se është dobësuar ShIK-u në Kosovë.

E kjo kishte bërë që Veseli të reagonte ashpër.

“Dëgjo, e keni marrë zanat ShIK-u, ShIK-u, kam me ju ngi ShIK në këtë mandat. Keni me shkuar deri në fund edhe me Komisionin hetues dhe media në mënyrë transparente. Veç që atëherë mos bënë ‘ciu-ciu’ me u tërheq. Qëndro deri në fund”, theksoi Veseli.

E të mërkurën Veseli përdori përsëri të njëjtin fjali kur u përplas me deputetin  ri të LDK-së, Lumir Abdigjiku.

Abdigjiku akuzoi Veselin se si udhëheqës i SHIK-ut ka fryrë listat e veteranëve.

“Cilin veteran e ka fut Kadri Veseli, a ka ndonjë anëtar të familjes, ndonjë shok që është në listë. Ti e ke urrejt UÇK’në, e urren edhe sot o Lumir. Si po të ec puna me pazare andej. Fol pa inate. E dina që lista janë fryrë shumë. Partia juaj i ka shti qindra persona”, i tha Veseli.

Por ai nuk u ndal me kaq.

“SHIK-u ka egzistu, unë jam krenar që kam qenë deri në 2008-ën, dhe do të jem krenar. Kur ta krijojnmë atë pjesën si dëshironi aty. Do të flasim do të hapim shumë vetëm ruju mos bëjë ciu-ciu mos ik”, ka thënë Veseli.

Kjo ka shkaktuar të qeshura në sallë por Veseli nuk ka qëndruar aty për të dëgjuar replikën e Abdigjikut. /Insajderi.com