Molliqaj: U dëshmua se prokurori montoi procesin ndaj aktivistëve

Molliqaj: U dëshmua se prokurori montoi procesin ndaj aktivistëve

Sekretari Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, ka kërkuar që të lirohen katër aktivistët e kësaj partie, për të cilët ka thënë se po mbahen padrejtësisht.

Duke iu referuar shkrimit të publikuar në Gazetën Insajderi, Molliqaj, ka thënë se procesi ndaj katër aktivistëve është i montuar, duke shtuar se prokurori Abdurrahim Islami i ka shkatërruar provat në këtë rast.

“Tash e 10 muaj aktivistët tanë po mbahen nën arrest pa faj, nën procesin e montuar nga prokurori Abdurrahim Islami për të cilin sot u dëshmua që ka shkatërruar prova në raste të tjera të rënda.

“Vetëm me prokurorë të tillë të kriminalizuar mund të qeverisin kriminelët. Të lirohen sa më parë 4 aktivistët e pafajshëm!”, ka përfunduar Molliqaj postimin e tij.

Për më tepër, Gazeta Insajderi sot ka publikuar disa dokumente, në të cilat dëshmohet Prokuroria Speciale ka shkatërruar provat në një rast të vrasjes së dyfishtë ende pa u kryer hetimet dhe pa u ngritur aktakuza.

Prokurori Abdurrahim Islami ka urdhëruar policinë që t’i asgjësojë provat – armët e përdorura, ani se një gjë e tillë nuk lejohet pa u kryer procesi gjyqësor.

Ai e pranon se armët e përdorura në raste të vrasjeve nuk është dashur të shkatërrohen, por arsyetohet se mund të ketë gabuar.

Prokurori Islami aktualisht po ndjek penalisht katër aktivistë të VV-së, për terrorizëm. Mes të dyshuarve ishte edhe i ndjeri Astrit Dehari./Insajderi.com