Molliqaj mbron sondazhin që e nxjerri VV-në të parën në Kosovë

Molliqaj mbron sondazhin që e nxjerri VV-në të parën në Kosovë

Sekretari Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, ka thënë se sondazhi i bërë publik para disa ditëve, që e nxjerr partinë e tij si të parën në vend, ka treguar saktë disponimin e qytetarëve të Kosovës.

“Jemi të bindur që rezultati i cili ka dalë nga sondazhi është një matje reale, por megjithatë është vetëm matje e opinionit publik. Ne nuk kemi thënë se Vetëvendosja i fitoi zgjedhjet, por ne kemi thënë që me këtë matje, me këto parametra dhe me këtë datë, është ky rezultati”, ka thënë ai,

Molliqaj po ashtu ka hedhur poshtë disa pretendime se gjoja kjo parti ka ndikuar tek rezultati.

“Vetëvendosja nuk bën sondazhe, sepse nuk ka kapacitete dhe do të ishte e anshme. Ne po ashtu nuk kemi marrë pjesë me metodologjinë. Çfarë kam prezantuar unë ka qenë metodologjia, mostra edhe sa është përfaqësuese, dhe i kam dhënë të gjitha shifrat. Sondazhi është profesional”, ka thënë ai.

Sipas tij, Vetëvendosje ka dyfishuar përkrahjen tek qytetarët e Kosovës dhe se “kurdo që do të mbahen zgjedhjet e ardhshme do të ketë lëvizje të mëdha”.

“Kapërcimi i madh i Vetëvendosjes, po flas në opinioni publik, sepse zgjedhje s’kemi pasur, është nga VLAN-i e tutje. Kjo është pika e kthesës sa i përket kapërcimit të Vetëvendosjes. Pastaj, është zhgënjimi, njëfarë pezmi me tradhtinë e LDK-së për VLAN-in, është zhgënjimi i dytë ky. Më pas nuk pati as ç’kapje të shtetit, s’pati asgjë nga liberalizimi i vizave dhe asnjë zhvillim në raport me serbët në Kosovë”, ka thënë ai.