Molliqaj: Për UÇK-në s’kanë të drejtë të flasin komandantët e koalicionit të krimit

Molliqaj: Për UÇK-në s’kanë të drejtë të flasin komandantët e koalicionit të krimit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Daradan Molliqaj, ka shkruar në Facebook se asnjë nga ata që vetëquhen komandat të luftës e janë pjesë e koalicionit PAN nuk kanë të drejtë të flasin për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, njofton Klan Kosova.

“Për UÇK-në nuk kanë të drejtë të flasin, disa ‘komandantë’ që kanë përfunduar në koalicionin e krimit dhe as OVL të UÇK-së që është e kapur prej po këtij koalicioni”, ka deklaruar Molliqaj.

“Çdo fjalë e tyre për luftën çlirimtare është hipokrizi”, ka thënë Molliqaj duke renditur disa arsye përse mendon kështu.

Postimi i plotë i Molliqajt:

Për UÇK-në nuk kanë të drejtë të flasin, disa “komandantë” që kanë përfunduar në koalicionin e krimit dhe as OVL të UÇK-së që është e kapur prej po këtij koalicioni.

Çdo fjalë e tyre për luftën çlirimtare është hipokrizi sepse:

• Ata e lanë UÇK-në jashtë Kushtetutës së Kosovës;
• E mbështetën Gjykatën Speciale që bazament e ka përdhosjen e luftës së UÇK-së;
• E hoqën bashkimin kombëtar nga programet e tyre – idealin kryesor të luftës së UÇK-së;
• U bënë milionerë për vete, ndërkohë që i lanë në varfëri ushtarët e vërtetë të UÇK-së (mbi 50 ushtarë të UÇK-së kanë bërë vetëvrasje për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike);
• E mbështetën pa rezervë dialogun me Vuçiqin e Daçiqin;
• Për arsye klienteliste i shpallën si veteranë edhe njerëzit që ishin bashkëpunëtorë të Serbisë;
• E sollën Listën Srpska në Kuvend dhe vazhdimisht i dhanë kompromise.