Molliqaj: Klani Pronto herë me Isën herë me Ramushin po vazhdon ta kap shtetin

22.11.2017 17:26
Molliqaj: Klani Pronto herë me Isën herë me Ramushin po vazhdon ta kap shtetin

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Daradan Molliqaj përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka komentuar urdhër arrestin e lëshuar nga Gjykata për arrestimin e tre deputetëve të VV-së, Albin Kurtit, Donika Kadaj-Bujupi dhe Albulena Haxhiut.

“Sot u lëshua urdhërarrest për Albinin, Donikën dhe Albulenën nga Beqir Kalludra, po i njëjti gjyqtar që i dënoi pa prova aktivistët tanë me mbi 21 vite burg. Kryeministri i tanishëm, Ramush Haradinaj, ishte ai i cili dikur ishte përkrah deputetëve që kundërshtonin Zajednicën dhe Demarkacionin”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.

Molliqaj ka thënë se Klani Pronto po vazhdon kapjen e shtetit pavarësisht se kryeministër është Ramush Haradinaj, i cili sipas tij më shumë merret me emërimin e zëvendësministrave se sa me temat e tjera.

“Ramushi nuk u deklarua për rastin e parë e nuk po deklarohet as për këtë të dytin. Mbase tash ai ka ndërruar qëndrim për këto marrëveshje dhe më shumë merret me emërimin e zv. ministrave sesa me këto tema”.

“Përderisa dikur deklaronte se sistemi i drejtësisë është i kapur, ai sot po e mundëson vazhdimin e kësaj kapjeje. Nuk ka as edhe një dallim të vogël në sistemin e drejtësisë. Ashtu siç dikur na persekutonin para dhe pas protestave, edhe tash po na persekutojnë para dhe pas zgjedhjeve”.

“Herë me Ramushin kryeministër e herë me Isën, klani Pronto po e vazhdon kapjen e institucioneve dhe persekutimin e Lëvizjes sonë. Por kot e kanë, nuk na ndalin dot. Deri në çlirimin e plotë të institucioneve”, ka përfunduar Molliqaj./Insajderi.com