Molliqaj: Kadri Veseli bën korrupsion dhe i kërcënon gjyqtarët

Molliqaj: Kadri Veseli bën korrupsion dhe i kërcënon gjyqtarët

Kadri Veseli i mban në xhep gjyqtarët e Kosovës përmes kërcënimeve dhe korrupsionit, ka thënë sot deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj.

Derisa i është përgjigjur akuzave të nënkryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili, për kërcënimin, që sipas Ismailit, Molliqaj po ua bën gjyqtarëve që po i mbajnë nën arrest shtëpiak aktivistët e VV-së, ish-sekretari i VV-së ka drejtuar akuza kundër kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit.

Molliqaj ka thënë se Veseli bën korrusion me gjyqtarët në Kosovë.

“Uran Ismaili, nënkryetari i PDK-së që është rritur në prehrin e Kadri Veselit, më paska akuzuar sot se po i kërcënoj gjyqtarët që po i mbajnë nën arrest aktivistët tanë të pafajshëm. Gjyqtarët që shefi i tij Kadri Veseli i mbanë në xhep përmes kërcënimeve e korrupsionit. Ashtu siç e mban në xhep Uranin përmes bizneseve të pista që ai ia drejton Veselit”, ka thënë Molliqaj.

Nënkryetari i PDK-së, Ismaili po ashtu e kishte quajtur “kriminale” deklaratën e Molliqajt ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërsa ka theksuar se Molliqaj është promovues politik i grupeve kriminale.

“Të kërcënosh me emër dhe mbiemër prokurorët edhe gjyqtarët, kjo nuk është politike, por kriminale. Kjo taktikë është përdorë edhe nga shumë grupe të krimit të organizuar anekënd botës. Ato grupe kriminale kanë paguar pare për këtë metodologji, kurse ti i promovon në politikë”, kishte thënë Ismaili, njw ditë më parë.

Ky reagim i nënkryetarit të PDK-së kishte ardhur pas akuzave të rënda të Molliqajt ndaj gjyqtarit Beqir Kalludra dhe prokurorit Abdurrahim Islami.

“4 aktivistët e Lëvizjes ende po mbahen në arrest shtëpiak, pa asnjë faj dhe pa asnjë kuptim. Gjykatësit Beqir Kalludra dhe prokurorit Abdurrahim Islami asnjëherë nuk do t’ia falim persekutimin politik që po ua bëjnë aktivistëve tanë!”, kishte thënë ndër të tjera ish-sekretari i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj. /Insajderi.com