Molliqaj fton në debat publik Shpend Maxhunin dhe prokurorin Islami

Molliqaj fton në debat publik Shpend Maxhunin dhe prokurorin Islami

Sekretari i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, pasi ka prezantuar këto ditë fakte që sipas tij tregojnë se aktivistët e partisë së tij të dyshuar për terroizëm janë të pafajshëm, ka ftuar në një debat publik drejtorin e Policisë së Kosovës, Shpend Maxhunin, një zyrtar tjetër policor, Fatos Makollin, si dhe prokurorin e këtij rasti, Abdurrahim Islamin.

Këtë ftesë Molliqaj e ka bërë pasi sic thotë ai, policia dhe prokuroria janë duke heshtur pas provave që ai i ka paraqitur ditëve të fundit.

“Policia dhe Prokuroria që organizuan me dhjetëra konferenca për ta bindur publikun që aktivistët tanë janë terroristë, këto ditë janë strukur si strucat dhe asnjë koment nuk e dhanë për provat që i kam publikuar”, ka shkruar Molliqaj në llogarinë e tij në Facebook.

“I ftoj në debat publik Shpend Maxhunin ose Fatos Makollin nga Policia dhe Abdurrahim Islamin – prokurorin i rastit. Ose të tre bashkë. Mediumin le ta zgjedhin ata. Nëse dojnë edhe në mediumin e tyre, RTK-në”, ka shtuar ai.

Sekretari i organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, ka publikuar dy ditët e fundit një raport të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, duke e paraqitur atë si argument se aktivistët e partisë të arrestuar për sulmin në Kuvend, janë akuzuar padrejtësisht.

Ndërsa të martën, ai ka demantuar provat e Policisë së Kosovës, prokurorisë dhe disa medieve, duke treguar se lokacioni nga është dërguar e-maili nuk janë dërguar nga lokacioni i dy aktivistëve të Vetëvendosjes – Frashër Krasniqi dhe Adea Batusha, por nga rruga B, që nuk i bie të jetë nga dy aktivistët e kësaj partie.