Molliqaj: Dy shitës ambulantë janë marrë si dëshmitarë për rastin e aktivistëve

Molliqaj: Dy shitës ambulantë janë marrë si dëshmitarë për rastin e aktivistëve

Sekretari i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, ka thënë se në rastin e aktivistëve të Vetëvendosjes të dyshuar për sulm ndaj Kuvendit, janë marrë si dëshmitarë dy shitës ambulantë.

“I tërë procesi ndaj aktivistëve të Vetëvendosjes është i bazuar në dy dëshmitarë të cilët pretendojnë që kanë dëshmitë e tyre të cilët janë shitës ambulantiv që i ikin taksave e që në shtetet tjera s’do të mund të merreshin si kredibilë”, ka thënë Molliqaj gjatë një konference për media.

Madje ai thotë se njëri prej dëshmitarëve nuk ka arritur ta identifikojë se kujt ia ka shitur motoçikletën, e cila ishte gjetur pas sulmit ndaj Kuvendit.

“Një ditë pas sulmit, dëshmitari i cili pretendon që e ka shitë motoçikletën, thotë se nuk ka dokumente për motorin e shitur dhe gjithashtu nuk ka arritur ta identifikojë Astrit Deharin”, ka shtuar më tej Molliqaj.

“I njëjti dëshmitar që thotë se e kanë ble tre veta motorin e me vonë thotë se i ka identifikuar vetëm dy ndërsa Astritin nuk ka arritur ta identifikojë. Dehari prej të gjitha shkresave nuk ka asnjë sms dhe përgjim që është inkriminues dhe i përfshirë në dosje. Në asnjë prej pajisjeve të tij nuk është gjetur asgjë”, ka thënë ai.

Molliqaj ka thënë se do të fillojnë me padi penale ndaj tyre, si ndaj ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha, Metush Birajt, ministrit të Brendshëm, Skender Hysenit, Sylë Hoxhajt./Insajderi.com