Molliqaj: Banesat në Dardani i uzurpoi Azem Syla dhe Shukri Buja

28.09.2016 18:25
Molliqaj: Banesat në Dardani i uzurpoi Azem Syla dhe Shukri Buja

Sekretari organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, ka lëshuar akuza ndaj anëtarëve të koalicionit qeverisës, PDK-LDK kur ka folur për uzurpatorët e banesave në lagjen Dardania në kryeqytet.

“Banorët e lagjes “Dardania” në Prishtinë të cilët nuk po pranojnë që ti lëshojnë banesat ku kanë jetuar që 17 vjet pa pronësi të ligjshme, janë shumica persona që aty i ka dërguar ish deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Azem Syla dhe bashkë partiaku i tij Shukri Buja”, ka thënë Molliqaj në një intervistë për emisionin “Republika” në Tribuna Channel.

Këtë gjë sipas tij e tregon edhe fakti që banorët nuk kanë shkuar ti kërkojnë ndihmë kryeministrit të vendit, Isa Mustafës por Kadri Veselit.

“Rrjedhimisht, ato prona janë të uzurpuara nga  këta dy persona që i kanë dhanë ato banesa për banorët që jetojnë aty tash e 17 vjet”, ka thënë Molliqaj.

Molliqaj ka theksuar edhe njëherë se Shpend Ahmeti nuk ka asnjë lidhje me këtë proces, dhe se ai është shprehur i gatshëm ti ndihmoj rastet sociale nëse ka të tilla në këto banesa./Insajderi.com