Mogherini thotë se situata në Ballkan është e tensionuar

Mogherini thotë se situata në Ballkan është e tensionuar

Në Bruksel ka nisur takimi i ministrave të jashtëm të BE-së në të cilin, pos temave tjera, do të diskutohet dhe për situatën e tensionuar në rajonin e Ballkanit perëndimor.

Situatën si të tensionuar e ka vlerësuar në prag të fillimit të takimit edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, e cila javën e shkuar kishte vizituar të gjitha shtetet e rajonit në fjalë.

Ajo u tha gazetarëve në Bruksel në prag të nisjes së takimit se pret që të konfirmohet përkushtimi i BE-së për perspektivën e integrimeve evropiane të këtij rajoni.

“Sapo u ktheva nga vizita në tërë rajonin, do të raportojë përpara ministrave sot, ndërsa më vonë gjatë javës edhe para kryeministrave të vendeve anëtare. Situata është e tensionuar dhe kjo paraqet sfidë, si të brendshme ashtu edhe rajonale, por edhe globale. Edhe vetë rajoni ka kapacitete për t’u përballur me këtë nëse ruhet kredibiliteti i procesit të integrimeve evropiane”, ka thënë Mogherini.

Ajo ka thënë se pret që nga ky takim i sotëm dhe nga samiti i BE-së të enjten dhe të premten të rikonfirmohet edhe njëherë gatishmëria dhe përkushtimi e BE-së për rajonin.

Në Bashkimin Evropian diplomatët thonë se në pothuajse të gjitha shtetet e rajonit të Ballkanit ka tensione, sidomos në Maqedoni dhe Bosnje e Hercegovinë, dhe është e nevojshme që BE-ja të dëshmojë se, përkundër problemeve të saj të brendshme, nuk do ta harrojë rajonin dhe është e vetëdijshme për rreziqet që situata në rajon paraqet për tërë Evropën, shkruan REL.

Prandaj edhe kanë vendosur që këtë javë Ballkani Perëndimor të jetë në agjendën e takimit të Këshillit të Çështjeve të Jashtme sot dhe në Këshillin Evropian më vonë gjatë javës.