Mogherini nuk dorëzon sot raport për vizitën në Ballkan

Mogherini nuk dorëzon sot raport për vizitën në Ballkan

Përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, sot do të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit për Politikë të Jashtme.

Në këtë takim pritet të ketë një rishikim i situatës në Ballkanin Perëndimor.

Por, Mogherini sot nuk do të dorëzojë ndonjë raport për vizitën e saj në Ballkan prej 1 deri më 4 mars, ku e vizitoi edhe Kosovën.

“Në mbledhjen e sotme të Këshillit për Politikë të Jashtme, do të ketë një rishikim të situatës në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë për Insajderin Virginie Beteja-Henriksson – zëdhënëse e Këshillit për Politikë të Jashtme në BE.

Mogherini në fakt do t’i informojë ministrat e jashtëm për vizitën e saj, kurse raportin final ajo do ta prezantojë para Këshillit më 9-10 mars.

“Përfaqësuesja e Lartë do të informojë ministrat për vizitën e saj në rajon të planifikuar për 1-4 mars. Ky diskutim do të jetë vetëm një përgatitje për mbledhjen e Këshillit Evropian, 9-10 mars 2017. Nuk ka asnjë raport me shkrim”, ka shtuar ajo për Insajderin.