Mogherini nesër mbërrin në Shkup, një ditë pas tensionimit ndëretnik

Mogherini nesër mbërrin në Shkup, një ditë pas tensionimit ndëretnik

Federika Mogerini nesër mbërrin në Shkup. Sipas agjendës, ajo do të takohet me Ivanovin në villën Vodno, ndërsa më vonë edhe me liderët e partive politike parlamentare. Përfaqësuesja e lartë për punë të jashtme dhe siguri vjen në Maqedoni si pjesë e mini-turnit në Ballkan, në një atmosferë të tensionuar.

Sipas njoftimeve, takimet me kryetarin e shtetit dhe me partitë do të jenë relativisht të shkurtra. Sipas ish ambasadorit të Maqedonisë në NATO, Nano Ruzhin, vizita edhe pse e shkurtër do të rezultojë me theksim të mesazheve të rëndësishme që duhet t’i përshpejtojnë proceset politike.

“Takimi më i rëndësishëm do të jetë ai me mandatarin e ardhshëm Zoran Zaev rreth mundësisë për përafrim të përshpejtuar të Maqedonisë drejt Bashkimit Evropian përmes implementimit të marrëveshjes së Përzhinës”, tha Nano Ruzhin, ish-Ambasador i RM në NATO.

 Mbrëmë, Stejt Departamenti amerikan përsëri apeloi që sa më shpejt të formohet qeveria e re.

“SHBA u bëjnë thirrje liderëve të Maqedonisë të formojnë qeveri të re, pa vonim të mëtutjeshëm. E gjithë kjo duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe aspiratat e vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, thanë nga Stejt Departamenti.

Sipas Stejt Departamentit, formimi i qeverisë së re, e përcaktuar ndaj sundimit të së drejtës dhe implementimin e reformave të nevojshme, do të ndihmojë t’i jepet fund krizës politike e cila seriozisht e ngadalësoi zhvillimin demokratik dhe ekonomik të Maqedonisë si dhe integrimin e saj në strukturat eruo-atlantike. Me porosi të ngjashme, para disa ditëve doli edhe eurokomesari dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Shtolltenberg./AlsatM