Mogherini flet për marrëveshjen me të cilën Serbia obligohet t’i rregullojë raportet me Kosovën

16.11.2017 15:56
Mogherini flet për marrëveshjen me të cilën Serbia obligohet t’i rregullojë raportet me Kosovën

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, në një konferencë për media, ka folur për fazën e re të dialogut Kosovë – Serbi, duke thënë se për marrëveshjen, e cila e obligon Serbinë që të normalizojë raportet me Kosovën, me çka Beogradit do t’i hapej rruga për anëtarësim në BE, ende po zhvillohen konsultime.

Mogherini, e cila gjatë ditës ka mbajtur një konferencë për media bashkë me Kryeministren e Serbisë Ana Brnabic dhe Komisionerin për Zgjerim, Johannes Hahn, u ka bërë thirrje dy palëve që të implementojnë marrëveshjet e arritura: Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe Marrëveshjen për Energjinë.

E pyetur nëse “progresi cilësor” në raportet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nënkupton nënshkrimin e një marrëveshjeje obligative, Mogherini ka thënë se për këtë po zhvillohen konsultime.

“Normalizimi është qëllimi i dialogut edhe pse ende është herët të flitet se në çfarë afate kohore do të arrihet kjo marrëveshje”, ka thënë zyrtarja e lartë e BE-së.

Mogherini, po ashtu, ka thënë se ndryshimi i formatit, shpejtësia dhe agjenda e dialogut pritet të japë rezultate kualitative.

“Rezultatet dhe përmbajtja e fazës së re do të jenë të dukshme në momentin kur është e dobishme për dinamikën e fazës së re. Në këtë fazë për mua është e rëndësishme jo vetëm që të ndërmjetësoj por edhe ta mbroj hapësirën dhe t’ua mundësoj palëve që të punojnë në fazën e re”, ka thënë ajo.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabic, ka thënë se vendi i saj është i përkushtuar për dialogun me Prishtinën, ndërkohë që u ka bërë thirrje akterëve në Serbi të marrin pjesë në dialogun e brendshëm.

Brnabic ka thënë se Prishtina duhet formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe në mënyrë që dialogu të vazhdojë më pas.