Modeli ‘all inclusive’ në Shqipëri

Modeli ‘all inclusive’ në Shqipëri

Shqipëria nuk është konkurruese për sa kohë nuk ka kapacitete të mëdha hoteliere, që do i mundësonin ekonominë e shkallës si dhe nuk zhvilluar gjithë zinxhirin mbështetës dhe orientimi duhet të jetë drejt ‘half-board’ (paketë që përfshin fjetjen, mëngjesin dhe darkën).

Arbër Shahu, administrator i ‘Sandy Beach Resort’ me 66 dhoma në zonën e Golemit shprehet se koncepti ‘all inclusive’ është një sfidë më vete për një biznes në kapacitete të limituara siç përkufizohet zona e Durrësit apo gjithë bregdeti në vend.

“Ne e kemi ofruar këtë shërbim për të gjithë ata që e kanë kërkuar. Deri më tani jemi të kënaqur por akoma nuk mund të bëjmë një vlerësim sesi ka rezultuar në kosto dhe në fitim sepse duhet të mbyllet i gjithë sezoni. Gjithsesi ky koncept mendoj se është për ato struktura që kanë kapacitete 500-1000 dhoma pasi ke mundësi të ulësh kostot”, ka thënë ai.

“Për struktura më të vogla ofrimi me cilësi është një sforcim i madh. Koncepti i duhur mendoj se është ‘half-board’ dhe drejt kësaj duhet të shkojmë. Kjo për dy arsye sepse i jep mundësi të zhvillohen edhe bizneset përreth duke lënë ‘të lirë’ turistin të zgjedhë ku do konsumojë vaktin bosh, por edhe sepse është më i thjeshtë për t’u realizuar mirë”, ka shtuar ai.

Të njëjtin mendim duket se ndan edhe Muhamet Kurmemi, drejtor administrativ i Harmonia HotelsGroup i cili thekson se ngritja e një koncepti të suksesshëm ‘all inclusive’ nuk ka nevojë vetëm për hotelet dhe standardet e tyre por edhe për një industri të tërë që e mbështet atë të jetë i suksesshëm.

“Ne ofrojmë në hotel të gjitha konceptet nga bed and breakfast (shtrat dhe mëngjes) tek ‘all inclusive’. Këtë të fundit e ndoqëm sepse e pamë që edhe shumë të tjerë rrotull nesh po e ofronin dhe konkurrencën duhet ta ndjekësh por ama duhet të sigurohesh që mund ta bësh siç duhet”, ka thënë Kurmemi.

“Është shumë e lodhshme ta ofrosh në Shqipëri paketën që ka gjithçka të përfshirë sepse e nisim nga kryesoja që të duhet, industria mbështetëse, nuk ka asnjë kompani që të të mundësojë pajisjet dhe produktet (kryesisht pijet). Na është dashur në angazhohemi përtej normales për ta realizuar dhe ky ishte viti i dytë që e kemi ndjekur. Harmonia Hotels Group operon në Shqipëri prej 7 vitesh dhe momentalisht menaxhon 5 hotele. Grupi i hoteleve ka një kapacitet prej 330 dhomash , apo 750 deri në 800 shtretër, në varësi të kërkesës dhe zënies së dhomave”, ka shtuar ai.

Rafaelo Resort në Shëngjin është një nga komplekset që është futur në listën e agjencisë polake Itaka me shërbimin ‘all inclusive’. I pyetur nga Gazeta Monitor, njëri prej menaxherëve të kompleksit u shpreh se ka pasur rezervime të konsiderueshme por sfida me ‘all inclusive’ ka qenë e vështirë.

Kjo sepse të paktën 15 euro në ditë është kostoja e ushqimit për një person dhe çmimet që janë vendosur janë relativisht të ulëta.

Pak a shumë paketat ‘all inclusive’ kanë rezultuar në kosto ose me një fitim minimal që nuk justifikon sforcimin e një biznesi që ka të paktën 400 të punësuar. Fitimi është minimal sepse rezervimet kalojnë në dy hallka agjentësh ku secili mban tarifën e vet./Monitor.al/