Mobilizohet policia – 12 orë punë dhe thirrje për të ndërprerë pushimet

Mobilizohet policia – 12 orë punë dhe thirrje për të ndërprerë pushimet

Pjesëtarët e Policisë së Kosovë të cilët kanë qenë në pushime të ndryshme, që nga sot janë detyruar ta ndërprenë dhe të dalin në punë. Përveç kësaj, derisa ata punonin nga tetë orë, nga sot do të punojnë nga 12 orë.

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net toger Bajram Krasniqi nga Zyra për informim e Policisë së Kosovës.

Sipas tij, kjo masë nuk është asgjë e pazakontë, pasi që ka ndodh edhe më herët, duke mos dhënë detaje tjera nëse ka të bëjë me ndonjë ngjarje specifike.

Ky vend është marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës, ku përjashtim bëjnë pjesëtarët e Policisë të cilët janë në pushim shëndetësor.

Nuk dihet nëse kjo masë është ndërmarrë për shkak të futjes në votim të demarkacionit me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës, i paralajmëruar që të ndodh brenda disa ditësh.

Rikthimi i demarkacionit në Kuvend do të sjellë edhe protestat e opozitës në rrugët e kryeqytetit dhe brenda Kuvendit të Kosovës.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës dhe Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, kanë dhënë deklarata kundërthënëse sa i përket sigurisë së vendit.

Duke reaguar ndaj një deklaratë të Sekretarit Organizativ të VV-së, Dardan Molliqaj, se Policia e Kosovës kontrollohet nga Kadri Veseli.

“Policia e Kosovës vlerëson se është shume indikativë deklarata e z.Molliqaj, për faktin se  në të gjitha rrethanat kur ne jemi të fokusuar njëqind përqind në çështjet jetike dhe madhore për sigurinë dhe interesin kombëtar të Kosovës, personi i njëjtë shfaqet me deklarime tendencioze duke u munduar të krijoj huti në opinionin publik, dhe kjo qasje i shkon në dobi vetëm armiqve të shtetit të Kosovës e jo qytetarëve të saj”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës

or një orë më pas, në Qeverinë e Kosovës, u mblodh Këshilli i Sigurisë. Megjithatë në atë mbledhje sipas vet ministres Hoxha, nuk është diskutuar diçka specifike.

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha-Sadiku, anëtare e këtij këshilli, ka treguar për Gazetën Express, se në mbledhje është diskutuar siguria në vend në përgjithësi dhe nuk ka pasur ndonjë diskutim apo çështje specifike.