Ministria e Sportit kërkon të merren masa për kurdisjet e ndeshjeve

Ministria e Sportit kërkon të merren masa për kurdisjet e ndeshjeve

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka thënë se po ndjek me shqetësim pretendimet dhe raportimet ditëve të fundit për kurdisje të rezultatit të ndeshjeve në futbollin e Kosovës.

“MKRS-ja i bën thirrje dhe pret nga Federata e Futbollit të Kosovës që të ndërmarrë të gjitha masat adekuate, me qëllim zbardhjen në tërësi të pretendimeve të tilla”, thuhet në njoftim.

Kjo Ministri thotë se është e bindur që organet përkatëse të FFK-së dhe organet e tjera do ta trajtojnë me seriozitet të plotë këtë situatë.

“MKRS-ja ka krijuar kushtet ligjore për parandalimin e të gjitha dukurive të kësaj natyre, nëpërmjet Ligjit për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive”, thuhet aty.

Ajo kërkon nga të gjithë faktorët relevantë që të jenë të përgjegjshëm në këtë fazë të rëndësishme për zhvillimin e futbollit dhe të sportit të Kosovës, sidomos pas anëtarësimit të FFK-së në UEFA dhe në FIFA.

“MKRS-ja po punon intensivisht, duke investuar në shumë drejtime, për përmirësimin e infrastrukturës sportive dhe për plotësimin e standardeve ndërkombëtare, prandaj bën thirrje që të shmanget çdo dukuri që mund të dëmtojë imazhin e sportistëve dhe të sportit të Kosovës në përgjithësi”, përfundon njoftimi./Insajderi.com