Mjeku turk nga rasti “Medicus”: Në Kosovë erdha për para

Doktori turk i cili akuzohet nga EULEX-i për transplantim të veshkave në Kosovë, nga rasti i njohur si “Medicus”, ka thënë se në Kosovë kishte shkuar vetëm për para dhe asgjë tjetër.

Mjeku turk nga rasti “Medicus”: Në Kosovë erdha për para

Në një dokumentar të kanalit amerikan HBO, është trajtuar me hollësi transplantimi ilegal i veshkave që kryhej në klinikën Medicus në Prishtinë.

Për këto veprime në këtë klinikë, Gjykata e EULEX-it ka dënuar disa persona përfshirë edhe një zyrtar të Qeverisë, ndërkohë vet mjeku që ka transplantuar veshka, turku Jusuf Sonmez, është ende në kërkim.

Televizioni HBO ka arritur të intervistojë doktorin e shumëkërkuar, i cili ka deklaruar se në Kosovë kishte shkuar për shkak të parave, pasi kishte marrë një ofertë të mirë fitimprurëse, transmeton Gazeta Express.

“Sa i përket Kosovës dhe Azerbajxhanit, gjithçka është e thjeshtë. Unë jam kirurg, kam pasur një ofertë, së pari nga Kosova. Kam shkuar atje për një arsye të thjeshtë, për të fituar para. Megjithatë, në Kosovë kam pasur një ofertë të mirë, të cilën e kam pranuar”, deklaron Sonmez i intervistuar nga HBO.

Ndërsa gruaja e Sonmezit gjatë intervistës për kanalin HBO, tha se ishte tronditur kur ka dëgjuar këto akuza por refuzon ta pranojë se bashkëshorti i saj i ka kryer ato transplantime.

“Rasti i Kosovës, e ka dëmtuar mjaftë familjen time. Vëllai im dhe familjarët e tjerë pasi kishin dëgjuar për rastin, më kanë kontaktuar dhe më thanë, se a e di se po jetoj me një përbindësh. Me kohë jam munduar t’ua shpjegoj se Jusuf nuk ishte i tillë, u mundova t’iu tregoj se të gjitha këto akuza janë të montuara vetëm nga mediat”, thotë ajo.

Bashkëpunëtorët e Sonmez-it janë arrestuar. Urologu Lutfi Dervishi, djali i tij Arban Dervishi dhe mjekët Sokol Hajdini, Islam Bytyqi e Sylejman Dulla u dënuan me gjithsej 20 vjet e 3 muaj burg më 29 prill të vitit 2013.

Viktimat e transplantim të veshkave ishin nga Izraeli, Rusia, Bjellorusia, Turqia dhe pjesa tjetër e viktimave të pa identifikuar. Atyre i ishin premtuar parat prej 10 000 – 12 000 dollarë amerikanë për një veshkë.

Viktimat kanë nënshkruar kontrata false, shumica prej tyre nuk janë paguar. Viktimave i është organizuar transporti prej Stambollit në Kosovë. Deri sot janë identifikuar 11 marrës të veshkave nga shtetet e ndryshme Izraeli, Polonia, Kanadaja, SHBA etj. Marrësit kanë paguar deri 100 000 dollarë amerikanë për një veshkë. /Insajderi.com