Mjeku kërcënues e quan provokator qytetarin që kërkoi ndihmë mjekësore

Mjeku kërcënues e quan provokator qytetarin që kërkoi ndihmë mjekësore

Kryetari i Sindikatës së Mjekëve të QKUK-së, Xhemajl Selmani e ka cilësuar provokator qytetarin që kishte kërkuar ndihmë mjekësore për gruan e tij të mërkurën gjatë protestës së mjekëve. Për këtë arsye thotë se e ka kapur për jakave të këmishës.

“Ai ka mund me kanë provokator. I kam kërkuar disa kolegë merren me të sepse unë jam kanë në prononcim në RTK”, ka thënë Selmani për Insajderin. Ai ka thënë se kolegët e tij e kanë lutur që të largohej dhe ti ofrohej ndihma gruas së tij, por sipas tij qytetari nuk ka dashur të largohej. Ka thënë se rasti i tij nuk ka qenë urgjent duke insistuar se ky ka qenë provokim për ta prishur protestën e mjekëve.

Insajderi ka raportuar se si një qytetar nga Mitrovica është kërcënuar nga kryetari i Sindikatës së QKUK-së, Xhemajl Selmani vetëm pse kërkonte mjek për ta trajtuar gruan e tij.

Xhemajli e ka kërcënuar qytetarin se që të largohej, ndryshe do ta kapte për fyti.

“Ik prej qituhit, ik prej qituhit mos të kapi për fyti”, kërcënon Xhemajli.

Kërcënimin që i ka bërë Xhemajli, qytetarit, nuk e ka parë si veprim të keq anëtari i Kryesisë së Sindikatës së QKUK-së, Sabri Cakaj.

Cakaj shihet në pamjet e Insajderit duke provuar ta qetësonte qytetarin.

“Po edhe ndonjë reagim i mundshëm i kryetarit nuk besoj që i ka tejkaluar përmasat e komunikimit pasi që personi në fjalë ka provokuar me fjalor fyes dhe ndonjë reagim impulsiv ka mundur të ndodhë. Qytetari ka gjithmonë të drejtë por jo familjarët dhe personat e tjerë me na fyer”, ka thënë Cakaj.

Megjithatë Cakaj, pranon se edhe ai po të ishte në vendin e pacientit do të kishte vepruar njësoj.

“Ndoshta edhe unë kisha mund me reagua ashtu po ta kisha dikë të sëmurë”, ka thënë Cakaj për Insajderin.

Për sjelljen e Selmanit ndaj qytetarit të Mitrovicës është informuar në Drejtorinë e QKUK-së. Kanë thënë se po e presin një qëndrim të sindikatës për këtë çështje.

Shpend Fazliu, zëdhënës i QKUK-së ka thënë se në shërbimet emergjente çdo qytetar që ka kërkuar ndihmë i është ofruar ajo, ndërkohë që nuk ka pasur asnjë ankesë nga ndonjë pacient në lidhje për këtë çështje.

“Në bazë të informacioneve që i kemi, shërbimet emergjente kanë ofruar ndihmë mjekësore për cdo qytetar. Në Drejtorinë e të QKUK-së nuk ka pasur ankesë se ndonjë pacient nuk ka marrë ndonjë”, ka thënë Fazliu.

Faik Hoti, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë ka thënë se me këtë rast duhet të merret Inspektorati i QKUK-së por që për një gjë të tillë duhet të ketë një denoncues pasi sipas tij pa u bërë denoncimin nuk mund të hapet një rast i hetimeve.

“Unë nuk e di për informacione nëse është bërë një denoncim nga personi. Për të filluar hetimet ndaj një rasti duhet që të ketë një ankues për atë rast”, ka thënë Hoti.

Qytetari ka kërkuar ndihmë gjatë protestës njëorëshe të personelit shëndetësor të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, të cilët kanë kërkuar kushte më të mira të punës dhe rritje pagash, kthimin e ligjit për paga në bazë të koeficientit, investime në pajisje e material harxhues./Insajderi.com

Kërcënohet qytetari që kërkoi ndihmë nga mjekët e QKUK-së