Arsyeja pse pushteti i Erdoganit kërkon ta ekstradojë mjekun e arrestuar në Kosovë

Mjeku i arrestuar në Kosovë rrezikon dënim të përjetshëm në Turqi

Doktor Osman Karakaya ka disa vite që punon si mjek kardiolog në një spital privat në Kosovë, deri të enjtën e 29 marsit ku u arrestua nga Policia e Kosovës. Por shtatë vite më parë ai ishte figura kryesore e një procesi të madh gjyqësor që ka nisur në vitin 2009 kundër 275 figurave të larta në Turqi që Erdogani i akuzonte se janë pjesë e Lëvizjes së Fetullah Gulenit të cilët kanë krijuar një "shtet të dytë në Turqi". Një raport të cilin e kishte shkruar Karakaya e kishte kthyer procesin në pikën zero për një nga kolegët e tij, gjykimi i të cilit u bë temë botërore.

Mjeku i arrestuar në Kosovë rrezikon dënim të përjetshëm në Turqi

Përpos pesë shtetasve turq të arrestuar të enjtën nga Policia e Kosovës që janë të lidhur me shkollën “Mehmet Akif” e që në Turqi nga presidenti Recep Tayip Erdogan akuzohen se janë pjesë e lëvizjes së kundërshtarit ideologjik të tij, Fetullah Gulen që jeton në SHBA, është edhe një mjek që është arrestuar nga Policia.

Derisa nuk është bërë e qartë se kush ka dhënë urdhër për arrestimin e  tyre dhe nëse janë ekstraduar apo jo në Turqi, një nga gjashtë të arrestuarit është figura kryesore, një mjek kardiolog i specializuar edhe në forenzikë, Osman Karakaya.

Insajderi ka gjetur se emri i Osman Karakaya lidhet me emrin e një nga mjekëve më të njohur në Turqi, Mehmet Haberal, që sot drejton “The Transplantation Society” një organizatë botërore për transplantim që funksionon në shumë vende të ndryshme si SHBA, Kanada, Francë, Spanjë, Finlandë e vende të ndryshme evropiane.

Haberal që jeton në Amerikë, kishte qenë pjesë e një procesi të gjatë gjyqësor kundër tij që kishte nisur në vitin 2009. Ai ishte i arrestuari në mesin e 275 të tjerëve që u sollën në gjyq me emrin e njohur si “Ergenekon” ku Turqia akuzonte këta se kanë krijuar një shtet të Fetullah Gulen-it brenda Turqisë së Recep Tayip Erdoganit.

Prokurorët turq pretendonin se të arrestuarit kanë qenë pjesë e Lëvizjes së Fetullah Gulen dhe kanë bërë përpjekje për të përmbysur Qeverinë turke të drejtuar nga Erdogan. Haberal sipas raporteve zyrtare nga mediat turke, ishte dënuar me 12.5 vite burg pasi u gjet fajtor bazuar në disa telefonata të përgjuara që e shpërfaqnin atë të ketë qenë pjesë e Lëvizjes Gylen në atë kohë.

Pasi ishte dënuar mjeku i transplantit Haberal ishte dërguar  në burgun e sigurisë së lartë në Turqi, saktësisht në Silivri. Por në shkurt të vitit 2013, një grup faktmbledhës nga Komiteti për të Drejtat e Njeriut dhe Akademia Gjermane e Shkencave, kishin realizuar një vizitë tek Haberal.

Mehmet Haberal, mjeku i specializuar në transplantim, më 2009, ishte dënuar me 12.5 vite burg nga pushteti i Erdoganit, si bashkëpunëtorë i Lëvizjes së Fetullah Gulen.

Pjesë e këtij grupi ishte edhe mjeku Osman Karakaya, që atëherë ishte pjesë e Këshillit të Mjeksisë Ligjore (Council of Forensic Medicine (ATK)) nga gushti i vitit 2009 deri në marsin e vitit 2014, raporton Insajderi.

Ky grup i mjekëve dhe shkencëtarëve gjatë mision faktmbledhës kishin publikuar një raport mjekësorë që kërkonte lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të Haberal.

Insajderi ka gjetur se Karakaya që ka ardhur në Kosovë në gusht të vitit 2015, ka qenë figura kryesore që ka përpiluar raportin ku thuhej se “Turqia nuk kishte paraqitur asnjë dëshmi bindëse për akuzat mbi bazën e të cilave ishte dënuar Haberal“.

Atë kohë, Haberal po vuante vitin e katërt të dënimit me burg. Ky raport të cilin e kishte përpiluar Osman Karakaya, ishte përdorur si fakt që shumë organizata të mëdha botërore për të drejtat e njeriut, kishin kërkuar nga Turqia dhe Erdogan lirimin e Haberal.

Pas presionit ndërkombëtarë për shkak të raportit të publikuar në shkurt të vitit 2013, gjashtë muaj më pas, në gusht, Turqia kishte liruar Dr.Haberal pas 4 viteve, 3 muajve e 18 ditëve që po mbahej në burg, duke e lënë në liri, teksa ka pritur vendimin e Gjykatës së Apelit në Turqi.

E ky raport i përgatitur nga Osman Karakaya e kishte nervozuar jashtëzakonisht shumë pushtetin e Erdoganit. Ai ishte shkarkuar menjëherë Osman Karakayn nga Komisioni Shtetëror i Mjeksisë Ligjore në Turqi dhe kishte filluar përndjekja e tij.

Pasi ishte shkarkuar në mars të vitit 2014, gjashtë muaj më vonë kishte ardhur në Kosovë, raporton Insajderi. Karakaya kishte filluar punën në një spital privat në Kosovë, ku punonte si kardiolog, ndërkohë që ishte i kërkuar nga Turqia.

Osman Karakaya, kardiolugu që është arrestuar të enjtën në Prishtinë, nuk dihet nëse është ekstraduar në Turqi.

Insajderi ka gjetur se Karakaya akuzohet nga pushteti i Erdoganit se ka krijuar një raport të rrem dhe të shtyrë nga Lëvizja e Fetullah Gulen në mënyrë që të shtohet presioni ndërkombëtarë ndaj Turqisë, duke e konsideruar një veprim tradhtie.

E tradhtia në Turqi është një vepër penale që mund të dënohet me burg të përjetshëm. Kësisoj nëse Osman Karakaya është ekstraduar në Turqi, ai do të përballet me një proces të egër gjyqësorë kundër tij, që e akuzon atë si “gylenist” që ka punuar në shkatërrimin e pushtetit të Erdoganit, përkundër faktit se krejt procesi ndaj 275 të arrestuarave në vitin 2009, ka dalë të mos ketë qenë i bazuar në fakte.

Në shkurt të vitit 2016, disa muaj para se në Turqi të ndodhte ajo që njihet edhe si “puç i dështuar i ushtrisë kundër Erdoganit”, procesi gjyqësor “Ergenekon” ishte përmbysur nga Gjykata më e lartë e Apelit në Turqi. Por të përfshirët në këtë proces, sikurse kardiologu Osman Karakaya, janë përndjekur pa ndalë.

Presidenti turk, Recep Tayip Erdogan, i kishte kërkuar disa herë Kosovës që të mbyllte shkollat që dyshoheshin të jenë të lidhur me Lëvizjen e klerikut turk Fetullah Gulen, por Kosova kishte refuzuar këtë kërkesë. Më pas Erdogan kishte kërkuar edhe ekstradimin e disa shtetasve turq që jetojnë në Kosovë por vendi kishte refuzuar deri të enjtën e 29 marsit 2018 kur Policia e Kosovës arrestoi pesë shtetas turq që janë pjesë drejtuese e  shkollës “Mehmet Akif” dhe kardiologun Osman Karakaya./Insajderi.com