Mjekët nga Turqia zhvendosen për një javë në Kosovë

21.02.2016 17:15
Mjekët nga Turqia zhvendosen për një javë në Kosovë

Ministria e Shëndetësisë së Kosovës ditë më parë kishte lëshuar një komunikatë për media ku thuhej se nga 20 shkurti fillon java e shëndetësisë turke në Kosovë, me ç’rast do të vinin ekspertë nga Turqia për të kryer operacione të ndërlikuara për pacientët kosovar.

Megjithatë, java e shëndetësisë turke sipas zëvendësministrit në Ministrinë e Shëndetësisë, Kadir Hyseini fillon nga dita e hënë, më 22 shkurt, raporton Insajderi.com

Këtë e ka konfirmuar Hyseini për REL, duke shtuar se qëllimi i këtij bashkëpunimi është shkëmbimi i përvojave ndërmjet mjekëve, si dhe kryerja e operacioneve specifike brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

“Është formuar grupi koordinues dhe janë kontaktuar drejtorët e klinikave brenda QKUK-së, ku mjekët nga Turqia do të kryejnë operacione së bashku me mjekët tanë. Ka operacione që kryhen edhe pa ndihmën e mjekëve të huaj, por ka edhe operacione më specifike që i kryejnë mjekët që bashkëpunojmë me ta. Tash janë planifikuar të kryhen disa operacione, si në Kirurgji të fëmijëve, në Klinikën gjinekologjike, në Kirurgji etj”, ka thënë ai./Insajderi.com