Mitrovica do të bëhet me Qendër për Persona me Aftësi të Kufizuara

Mitrovica do të bëhet me Qendër për Persona me Aftësi të Kufizuara

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale,  Safet Kamberi dhe drejtori i “Handikos” Afrim Maliqi, nënshkruan sot Marrëveshjen për bashkëfinancimin e projektit “Ndërtimi i Qendrës së Personave me Aftësi të Kufizuara në Komunën e Mitrovicës Jugore – Handikos”.

Projekti “Ndërtimi i Qendrës së personave me aftësi të kufizuar në  Komunën e Mitrovicës Jugore- HANDIKOS“ ka vlerë parallogaritare prej 200 mijë euro. MPMS nga buxheti  vjetor i planifikuar për vitin 2018 financon këtë projekt  në shumën prej  100 mijë euro, ndërsa pjesa tjetër mbulohet nga ‘Handikos’.

Ministri Kamberi tha se fokusimi i ministrisë do të jetë permanent në përmirësimin e kushteve të jetës për personat me aftësi të kufizuara.

“Ne do të japim kontributin tonë në vazhdimësi që të jemi sa më pranë njerëzve në nevojë, qoftë me projekte, qoftë me ofrimin e kushteve dhe integrimin dhe trajtimin e tyre të barabartë në shoqëri. Përkushtimi ynë nuk do të mungojë, varësisht prej kushteve dhe mundësive buxhetore” është shprehur Kamberi.

Drejtori i Handikos-it, Afrim Maliqi, ka falënderuar ministrin Kamberi për bashkëpunimin, duke shtuar se në shumë segmente, Kosova rangohet mbi rajonin, në ofrimin e kushteve dhe trajtimin e kësaj kategorie në shoqërinë kosovare. Ai është shprehur optimist se në të ardhmen gjendja e personave me aftësi të kufizuara do të avancohet edhe më shumë.