Misioni i ri i Veselit si reprizë i “misionit të vjetër” të Thaçit

Kryetari i Kuvendit ka nisur një mision të ri. Të bëhet kryeministër i vendit. Për këtë ai ka nisur atë që po e quan “turi i dëgjimit”. Ky turne është i ngjajshëm me misionin e ri, por tashmë të vjetruar të Hashim Thaçit.

Misioni i ri i Veselit si reprizë i “misionit të vjetër” të Thaçit

Kishte qenë fundi i muajit shkurt dhe fillimi i muajit mars të vitit 2014, kur Hashim Thaçi, atëherë kryeministër i vendit, kishte nisur një mision të ri, me qëllime të vjetra: të vazhdonte të ishte kryeministër.

Kishte lënë anash Hashim Thaçin që nuk dilte në media e nuk shihej askund nëpër hapësira publike dhe krejt papritur ishte shndërruar në një lider që dilte të blinte perime me bashkëshorten e saj dhe vizitonte shitore çokollatash.

Vendi shkoj në zgjedhje të parakohshme në 8 qershor të atij viti. Kur Thaçi kishte filluar daljen në terren për të krijuar “Misionin e Ri” zgjedhjet përmendeshin vetëm në suaza të thashethemeve mediale.

Thoshte se këtë se po e bënë për të krijuar një platformë me të cilën do ta merrte bekimin edhe të partisë por edhe të qytetarëve që ta drejtonte vendin.

Në këtë mënyrë kur zyrtarisht u vendos që vendi të shkoj në zgjedhje të parakohshme, Thaçi tashmë ishte bërë sensacion duke përdorur rrjetet sociale si asnjë politikan më parë në Kosovë.

Bashkë me këtë, ai ishte përpara konkurrentëve të tij pasi ai kishte bërë fushatë shumë muaj para se ajo të nsite zyrtarisht për të gjitha partitë politike.

Zgjedhjet u mbajtën, PDK-ja dhe Hashim Thaçi fituan, por “Misioni i Ri” kurrë nuk u realizua.

Tre vite pas, Hashim Thaçi ka hyrë në një mision të ri, si president, falë koalicionit me LDK-në, ndërsa pasardhësi i Thaçit në Partinë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, gjendet pikërisht në momentin e njejtë të parardhësit të tij: me një Mision të Ri.

thacifutbol

Në mënyrë të rastësishme apo jo, misioni i ri i Veselit, ka nisur në fund të muajit shkurt dhe fillim të muajit mars, në një kohë kur zgjedhjet e parakohshme janë vetëm në suaza të thashethemeve politike në media dhe në stilin e njejtë të realizimit të “fushatës parazgjedhore” nën një emërtim të ri: Turneu i dëgjimit.

Veseli para se ta niste këtë “tur të dëgjimit” tha se këtë po e bënë për të krijuar një plan për Kosovën, të cilën si platformë do tua paraqes lidershipit të PDK-së, në mënyrë që ata ta bekojnë në misionin e tij të ri: për tu bërë kryeministër i vendit.

“Në fund të muajit të ardhshëm, unë do të dal para lidershipit të PDK-së dhe do të kërkoj mbështetjen e tyre për platformën time – planin tim – për Kosovën. Kjo nuk është një detyrë e vogël dhe unë e marr atë shumë seriozisht si Kryetar i PDK-së dhe si Kryetar i Kuvendit”, shkroi Veseli në Facebook, duke paralajmëruar turin e tij të dëgjimit.

I njëjtë pak a shumë ka qenë edhe arsyetimi i Hashim Thaçit në vitin 2014, por faktet tregojnë se njashtu sikurse Thaçi që nuk kishte pasur asnjë konkurrent me platformë tjetër në parti për ta marrë bekimin si kandidat për kryeministër, edhe Veseli deri më tani nuk ka asnjë kandidat tjetër, platforma e të cilit do të mund të konkurronte për ta qeverisur vendin.

“Je i vetmi politikan që na viziton në gjysmë të mandatit…” është një citat që Veselit i thuhet në videon e parë nga “turi i dëgjimit”.

kadria

Edhe pse kjo është një huqje, për shkak se tashmë nuk është gjysma e mandatit pasi që zgjedhjet parlamentare priten të mbahen vitin tjetër zyrtarisht, Veseli po vazhdon të bëjë atë që paraardhësi i tij Hashim Thaçi e ka bërë para tri viteve.

Deri më tani ka  vizituar shumë biznese, disa prej tyre të njëjtat që i ka vizituar edhe Hashim Thaçi, sikurse përpunuesit e drurit në fshatin Greme të Ferizajt.

Veseli ka vizituar qendrën e inovatorëve, ICK në Prishtinë, ku tha se ka dëgjuar me “vëmendje vajzat dhe djemtë e përkushtuar në sektorin e teknologjisë informative”, pastaj ka takuar punëtorët shëndetësorë të Mitrovicës, profesorët e Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren dhe mësuesit e shkollës “Meto Bajraktari” në Prishtinë i falënderova për punën e madhe dhe ua urova Ditën e Mësuesit, 7 marsin.

Të gjitha këto vizita për dallim nga Thaçi që i përcillte me fotografi, Veseli i përcjellë me video. Por mënyra sesi ai i qaset atyre që i viziton është e njëjta me atë të paraardhësit: mirësi dhe gatishmëri maksimale për t’i realizuar kërkesat e qytetarëve.

Madje Veseli për dallim prej Thaçit qet në pah edhe një detaj, duke marrë shënime nga ato që po i dëgjon. Ama i mungon një gjë me të cilën Thaçi bëri bujë: A ki me dalë në zgjedhje? Për kë do të votosh: Dihet!!!