Misionari për “bashkimin” e Vetëvendosjes zyrtarisht në krye të PSD-së

Misionari për “bashkimin” e Vetëvendosjes zyrtarisht në krye të PSD-së

Pas çarjeve të mëdha brenda Lëvizjes Vetëvendosje në muajin dhjetor të vitit të kaluar, dy zyrtarë të kësaj partie morën rolin e misionarëve për bashkimin e dy grupeve: deputeti Glauk Konjufca dhe kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti.

Përçarja brenda Lëvizjes Vetëvendosje kishte filluar rreth dy vite më parë, siç kanë treguar anëtarët e partisë, mirëpo një bashkëbisedim mes deputetëve në platformën komunikuese Viber ishte bërë shkas për zyrtarizimin e përçarjeve. Aida Dërguti, asokohe, e kishte ofenduar rëndë deputetin Albin Kurti.

Ky bashkëbisedim kishte shtyrë Dërgutin që të shprehte publikisht dallimet që ajo kishte me tashmë liderin e Vetëvendosjes. Të njëjtën gjë e kishin bërë edhe disa anëtarë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje; mes tyre edhe ishte edhe ish-kryetari Visar Ymeri.

Pas kësaj, në Lëvizjen Vetëvendosje kishte filluar një mision për t’i bashkuar të dy grupet brenda partisë, që pretendonin se kishin dallime ideologjike mes njëra-tjetrës. Shpend Ahmeti, së bashku me Glauk Konjufcën, nuk u rreshtuan publikisht tek asnjëri krah.

Ata morën rolin e ndërmjetësuesve, me një qëllim të vetëm: përafrimin e dy grupeve me njëra-tjetrën dhe ndaljen e shpërbërjës së partisë.

Madje, në javët e para pas shpërthimit të skandalit “Dërguti”, Shpend Ahmeti nuk deklarohej në media lidhur me përçarjen në parti. Nuk fliste as për dallimet ideologjike, të cilat disa nga aktivistët e pakënaqur të VV-së i shprehnin kundrejt Albin Kurtit.

Kur pyetej nëse e mbështeste Albin Kurtin për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje, Ahmeti thoshte se kjo nuk është çështje e rëndësishme.

Ndërkaq, kur pyetej për një ndarje të mundshme të LVV-së, marrë parasysh përplasjeve mes anëtarëve të saj, ai thoshte se “s’ka kurrëfarë ndarje”.

Por, roli për “bashkim” i Shpend Ahmetit dështoi kur çarja në parti u manifestua me dorëheqjen e një numri të caktuar të figurave që kishin bartur funksione brenda kësaj partie politike. Nga LVV-ja dhanë dorëheqje personalitete të njohura politike duke përfshirë kryetarin Visar Ymeri, nënkryetarin Dardan Sejdiu dhe anëtarë tjerë të këtij subjekti politik.

E Shpend Ahmeti qëndroi i heshtur për dy muaj të tjetër, kur zyrtarisht dha dorëheqje nga Lëvizja Vetëvendosje. Tha se misioni i tij për përafrimin e dy grupeve që ishin përplasur brenda Vetëvendosjes ishte i pamundur.

“Jam munduar personalisht të luaj një rol ndërmjetësuesi për tejkalim të problemeve, por shpejtë e kam kuptuar që dallimet ishin tepër të thella. Kam shkuar në mbledhjet e fundit të Këshillit dhe kam marrë pjesë në procesin zgjedhor gjithmonë me shpresë se do të mund të tejkalohen dallimet. Por ja që kjo ishte e pamundur”, u shpreh ai, përmes një letre publike.

Në të njëjtën letër, të publikuar në muajin mars, Ahmeti u shpreh se “prej sot, nuk jam më pjesë e Levizjes Vetëvendosje.”

Prej asaj dite, Ahmeti nuk u deklarua asnjëherë për të ardhmen e tij politike “post-VV”.

Por, bashkimi i deputetëve të dorëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje nën ombrellën e Partisë Social-Demokrate të Kosovës (PSD), të cilës ia ndërruan logon, e gjeti Ahmetin në krye të partisë.

Në Konventën e PSD-së, të mbajtur të mërkurën e 9 majit, “misionari” për bashkimin e grupeve të ndara brenda Lëvizjes Vetëvendosje u zgjodh kryetar i partisë së cilës iu bashkuan të gjithë ish-anëtarët e pakënaqur në Lëvizjen Vetëvendosje. /Insajderi.com