Minj të ngordhur në kompaninë që importoi mish të dyshimtë nga Belgjika

Minj të ngordhur në kompaninë që importoi mish të dyshimtë nga Belgjika

Minj të ngordhur ka gjetur Prokuroria Themelore në Prizren në njërën prej dy kompanive që kanë importuar mish nga Belgjika, por nuk dihet ende saktësisht se në cilën kompani janë gjetur këta minj të ngordhur.

Prokuroria ka bastisur dje kompanitë “Euro IDA” me bazë në Rahovec dhe “BENI SHPK” me bazë në Suharekë, pasi të dy këto kompani kishin importuar mish të dyshimtë nga Belgjika.

Portali Kallxo.com ka raportuar sot se në ambientet e përpunimit të mishit të njërës prej këtyre dy kompanive, Prokuroria Themelore e Prizrenit ka gjetur minj të ngordhur.


Minj të ngordhur në kompaninë e mishit/ Foto: Drejtësia në Kosovë

Pasi Insajderi zbuloi javën e kaluar se kompania “Euro IDA” nga Rahoveci kishte importuar mish nga kompania belge “Veviba”, Kryeprokurori i Prizrenit Admir Shala, ka deklaruar sot se edhe kompania “Beni SHPK” nga Suhareka kishte importuar mish nga Belgjika.

“Po, ashtu siç keni shkruar ju [Insajderi, v.j] për kompaninë ‘Euro Ida’ është e saktë. Nëdrkaq, kompania tjetër është Beni SHPK nga Suhareka”, ka thënë Kryeprokurori i Prizrenit Admir Shala për Insajderin.

Ai ka thënë se mishi që kjo kompani kishte importuar nga Belgjika ishte asgjësuar nga autoritetet e Kosovës.

Prokuroria e Kosovës ka filluar hetimet ndaj dy kompanive: “Beni SHPK” me bazë në Suharekë dhe “Euro IDA” me bazë në Rahovec. Kryeprokurori Shala i ka thënë Insajderit se në kompaninë “Euro Ida” janë gjetur 1 mijë e 800 kilogram me afat të skaduar.

“Kemi konfiskuar 1 mijë e 800 kilogram mish me afat të skaduar. Mishi që kemi gjetur nuk vjen nga Belgjika”, ka thënë Shala.

Insajderi zbuloi më 14 mars, se kompania “Euro Ida” kishte importuar mish nga kompania e dyshimtë belge “Veviba” në muajt maj dhe qershor të vitit 2016. /Insajderi.com