Ministrja kosovare demanton Vuçiqin: Zv/drejtori i policisë në veri, është shqiptar

Sipas Edita Tahirit, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut është i kombësisë shqiptare.

Ministrja kosovare demanton Vuçiqin: Zv/drejtori i policisë në veri, është shqiptar

Duke reaguar në deklaratën e Vuçiqit, ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë se Vuçiq është mërzitur sepse e kemi shuar policinë paralele serbe në veri të Kosovës, prandaj flet me gjuhën e tij të pamatur dhe nacionaliste.

Sipas Tahirit, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut është i kombësisë shqiptare, raporton Insajderi.

“Policia e Kosovës është në tërë shtetin e Kosovës, ndërsa në veri jo vetëm që zëvendësdrejtori është shqiptar por edhe gjithë struktura është me përbërje shumetnike, sepse Kosova është një shtet demokratik në vepër, dhe jo si Serbia që demokracinë e ka në fjalë dhe nacionalizmin në vepra”, citohet të ketë thënë Tahiri, nga komunikata e qeverisë.

Tahiri ka thënë se Serbia duhet ta heq “sëmundjen e nacionalizmit”.

“Kjo tregohet më së miri me faktin se shqiptarët në Serbi kanë më pak të drejta se sa serbët në Kosovë. Por një ditë, edhe Serbia do të detyrohet të heq sëmundjen e nacionalizmit nëse e dëshiron vërtet Evropën”, ka thënë Tahiri.

Vuçiq, në një intervistë me televizionin serb Pink TV, të hënën, ka thënë se nga dialogu në Bruksel qeveria e Serbisë ka arritur marrëveshje që asnjë polic shqiptar të mos shkelë në veri.

“Asociacioni i Komunave Serbe është një pjesë e rëndësishme e Marrëveshjes së Brukselit, ishte lëvizja më e zgjuar në kohë të vështira. Tadiq nuk kishte arritur asnjë vendim. Ne e morëm vendimin që të gjithë punonjësit e policisë të jenë të nacionalitetit serb, dhe se asnjë polic shqiptarë të mos vë këmbë në Veri të Kosovës”, ka deklaruar Vuçiq, sonte në një intervistë në televizionin “Pink”. /Insajderi.com