Ministrja Hoxha: Vetëvendosje i çoi në vetëvrasje vëllezërit Dehari

Ministrja Hoxha: Vetëvendosje i çoi në vetëvrasje vëllezërit Dehari

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha i është përgjigjur akuzave të zyrtares së Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, ndërsa ka bërë përgjegjëse Vetëvendosjen për vdekjet e dy vëllezërve, Astrit dhe Arbnor Dehari.

Anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka thënë se ajo nuk e njihte Astrit Deharin, dhe se nuk kishte të bënte asgjë me vdekjen e aktivistit të VV-së.

“Vetëm një mendje e sëmurë do të besonte në atë cka thuani ju duke ma lënë mua fajin për vetëvrasjen e Astrit Deharit. Unë nuk e takova asnjëherë të ndjerin, unë nuk e njihja – përgjigjen për arsyet e vetëvrasjes së tij duhet të kenë ata që e takuan shumë herë në qendrën e paraburgimit, e sidomos para ditëve të fundit të tij. Duhet të tregoni pse u vetëvra edhe vëllau i Astritit duke qenë aktivist i juaji?”, ka thënë Hoxha, përmes një shkrimi të publikuar në Facebook.

Ministrja Hoxha ka thënë se Vetëvendosje i ka dërguar në vetëvrasje dy vëllezërit Dehari.

“Unë sinqerisht nuk e kuptoj se si jetoni ju me këtë barrë në ndërgjegjen tuaj, a thua çfarë bëtë që dy të rinjë i dërguat drejt vetëvrasjes, apo siç javë më parë thoshte bashkëpartiakja juaj, i dërguat në “vetëflijim”?”, ka thënë ajo.

Përmes një postimin në Facebook, Arbërie Nagavci i ka thënë Hoxhës se “po të isha si ti, nuk do mund të flija natën”, duke e akuzuar atë për vrasjen e aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari. /Insajderi.com