Ministrja e PDK-së krahason veprimet e Vetëvendosjes me ato të Hitlerit

07.08.2017 00:03

"Kërcënimet dhe linçimi i tillë i hapur i gjyqtarëve dhe prokurorëve përmban elemente nacional-socialiste të cilën vetëm Partia Nacional-Socialiste e Hitlerit ka ditur ta bëjë derisa ka ardhur në pushtet", deklaroi ministrja Hoxha.

Ministrja e PDK-së krahason veprimet e Vetëvendosjes me ato të Hitlerit

Ministrja në largim e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, e cila vjen nga radhët e PDK-së, ka krahasuar veprimet e zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje me ato të Partisë Nacionale-Socialiste të Adolf Hitlerit, ish-liderit të Gjermanisë naziste.

Teksa kishte reaguar ndaj një deklarate të anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Xhavit Drenori, kundër kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka, ministrja Hoxha ka lëshuar akuza ndaj VV-së.

Deklarimi i Drenorit se “po të bëhesha vrasës një ditë, do ta vrisja Imer Bekën”, nxiti ministren Hoxha që ta dënonte këtë kërcënim publik. Por, teksa po fliste për “linçimin publik” të Drenorit kundrejt Bekës, Hoxha – ndonëse nuk përmendi raste – deklaroi se kërcënimi i Drenorit nuk është rasti i vetëm kur, sipas saj, Vetëvendosje ka kërcënuar prokurorë e gjyqtarë.

“Këto kërcënime dhe shantazhe të anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje kundër bartësve të caktuar të funksioneve gjyqësore dhe prokuroriale me qëllim të frikësimit të tyre në kryerjen e pavarur të detyrave, paraqet kërcënim serioz për sistemin edhe ashtu të brishtë gjyqësor dhe prokurorial”, ka thënë Hoxha.

Ministrja Hoxha shkroi në Facebook se i cilëson “të papranueshme” dhe “kërcënim serioz për shtetin” deklarimet e zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje kundër prokurorëve të shtetit. Kërcënimet dhe linçimet ndaj prokurorëve, Hoxha tha se i ka bërë vetëm partia e Adolf Hitlerit.

“Kërcënimet dhe linçimi i tillë i hapur i gjyqtarëve dhe prokurorëve përmban elemente nacional-socialiste të cilën vetëm Partia Nacional-Socialiste e Hitlerit ka ditur ta bëjë derisa ka ardhur në pushtet”, deklaroi ministrja Hoxha.

Madje, ministrja në largim shkoi edhe më tej. Pasi krahasoi veprimet e Lëvizjes Vetëvendosje me Partinë Nacional-Socialiste gjermane të Adolf Hitlerit, mori një shembull nga periudha kur Hitleri drejtonte shtetin gjerman.

“Në këtë drejtim më duhet të citoj Martin Niemoller, pastorin e njohur gjerman i cili kishte qëndruar për shtatë vite në kampet e koncentrimit të nacistëve: ‘Kur erdhën nacistët për të mbledhur socialistët, nuk fola sepse nuk isha socialist. Më pastaj erdhën për hebrejët dhe unë nuk fola sepse nuk isha hebrej. Kur erdhën për mua ishte vonë pasi nuk kishte mbetur askush për të folur për mua'”, shkroi ministrja kosovare.

Hoxha kërkoi nga zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje që “t’i thonë stop gjuhës kësaj gjuhe para se kjo gjuhë të shëndrrohet në vepër”. /Insajderi.com